Policia e Fierit ka mundur të zbardhë sot një vrasje të ndodhur në Greqi. Blutë e Fierit kanë vënë në pranga shtetasin Denis Zaka, pasi pranoi të ketë vrarë në Greqi, kushëririn e tij të parë.
Sipas policisë së Fierit, “autori i vrasjes së bashku me babain e kushëririt bëri kallëzim në Policinë e Fierit se i kishin vrarë kushëririn në Greqi. Policia e Fierit bashkëpunoi me Interpolin dhe Policinë Greke, ku policia Greke gjeti të groposur trupin e viktimës.
Më datën 07.08.2016, është paraqitur në Sektorin e Hetimit të Krimeve të rënda shtetasi Mersin Murrizi i cili ka kallëzuar se djali i tij Vladimir Murrizi është vrarë në Greqi, duke sjellë edhe si dëshmitarë shtetasin Denis Zaka, kushëririn e parë të tij me të cilin ka qenë bashkë në Greqi”.
Lidhur me këtë kallëzim policia e Fierit kreu veprimet procedurale si: pyetja e katër personave që kanë dijeni për veprën penale, u bë këqyrja e telefonave, tabulateve, SMS-ve dhe rrjeteve sociale me të cilët kishte komunikime. Nga kryerja e veprimeve procedurale, bluve të këtij qyteti i lindën dyshime të bazuara se ishin para një krimi, vrasje dhe se i dyshuar ishte shtetasi Denis Zaka, kushëriri i parë i tij.
“U intervistua shtetasi Denis Zaka, i cili kishte shumë kontradikta në thënie që nuk përputheshin me tabulatet telefonike. I vendosur para provave kontradiktore për ato që kishte deklaruar, pranoi se ai e kishte kryer vrasjen e kushëririt të tij, shtetasit Vladimir Murrizi, duke dhënë shpjegime të hollësishme për motivin, mjetin me të cilin kishte realizuar vrasjen, dhe vendin ku e kishte fshehur kufomën në Greqi”,- sqaron policia.
Policia e Fierit bashkëpunoi me Drejtorinë për Krime të Rënda dhe Interpol Tiranën. Të gjitha të dhënat iu përcollën menjëherë autoriteteve policore Greke, të cilat nga ana e tyre shkuan në vendin e ngjarjes dhe gjetën kufomën e groposur. Për këtë arsye, me datën 08.08.2016, u bë ndalimi i shtetasit Denis Zaka, 26 vjeç, lindur në Lushnje dhe banues në lagjen numer 15, Durrës.
Për këtë ngjarje ju referuan materialet Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.
BW/d.i.