Ai ishte vetëm 17 vjeç dhe kishte shkuar në punë të mundësonte nxjerrjen e parave që i duheshin për t’u veshur dhe të blinte librat për në maturë.
Me sa duket ka qenë i vetëdijshëm se rroga e të atit si punonjës policie ishte e pamundur të plotësonte kërkesat e tij për në vitin e fundit të shkollës. Por nuk ka qenë e thënë. Fati i zi e ka goditur në kulmin e moshës, shkruan “Shekulli”.
Ardit Gjoklaj, me origjinë nga Tropoja, është gjendur i pajetë në plehrat e Sharrës, në landfilld, ndërsa mësohet se ka qenë i punësuar prej pak kohësh në sektorin e seleksionimit.
Djali është gjetur me dëmtime të shumta në të gjithë trupin, ndërsa dyshohet se ka qenë traktori që punon në atë zonë të landfilldit që i ka marrë jetën djalit.
Dyshimet të çojnë te një akt makabër, pasi i riu jo vetëm është masakruar me mjetin e rëndë, por, në momentin kur është gjetur, trupi i tij ka qenë i mbuluar me plehra.
Familja Gjoklaj nisi kërkimet që në orët e para të ditës së djeshme, ndërsa Gegë Gjoklaj ka mbërritur herët ditën e djeshme në Komisariatin Nr. 6 duke iu kërkuar ndihmë kolegëve të tij. Të gjithë bashkë kanë nisur kërkimet, por pa i shkuar mendja askujt se Arditi ishte i masakruar poshtë plehrave të Sharrës.
IDENTIFIKIMI I VIKTIMËS
Në orët e pasdites së djeshme, Policia e Tiranës deklaroi zyrtarisht se ka identifikuar kufomën e gjetur mesditën e së dielës në Sharrë.
“Bëhet fjalë për shtetasin Ardit Gjoklaj, 17 vjeç, nga Tropoja, banues në Tiranë”, kanë thënë burimet zyrtare të Policisë.
Sipas tyre, identifikimi i viktimës është bërë mbi bazën e dëshmive nga të afërmit e tij. Po kështu, Policia ka thënë se ekspertët e mjekësisë ligjore konfirmuan faktin se viktima nuk ka më shumë se 48 orë që ka humbur jetën.
VRASJE APO AKSIDENT
Dje gjatë gjithë pasdites efektivat e Policisë kanë bërë përpjekje për përcaktimin e pistës së ngjarjes, duke qenë të dyzuar mes një vrasjeje apo një aksidenti.
Dyshimet e para dhe më kryesoret lidhen me një vrasje, pasi viktima, Ardit Gjoklaj, 17 vjeç, ka pasur një plagë në kokë, shenjë e dukshme goditjeje. Policia tha fillimisht se viktima mund të ishte vrarë duke u qëlluar me sëpatë në kokë. Por këqyrja e mëtejshme e kufomës evidentoi masakrimin e trupit të 17- vjeçarit, tek i cili u konstatuan prerje e copëtime edhe në pjesë të tjera të trupit e në gjymtyrë.
PISTAT E HETIMIT
Grupi i hetimit ka ngritur dje si pistë të parë atë të një vrasjeje të 17-vjeçarit nga persona ende të paidentifikuar. Për këtë arsye janë shoqëruar dje në Polici katër persona që punojnë në landfillin e Sharrës.
Atje shpesh ka konflikte mes punonjësve në lidhje me parcelat e përpunimit të mbeturinave që mbërrijnë nga kryeqyteti. Në vazhdimësi konfliktet mes punonjësve janë shoqëruar edhe me konfrontime fizike, por pa arritur deri te vrasja, siç mendohet se ka ndodhur së fundi.
Pista tjetër që po heton Policia ka të bëjë me një vrasje aksidentale, pasi dyshohet se gjatë orëve të mbrëmjes, makineritë e transportit apo përpunimit të mbeturinave mund ta kenë goditur viktimën dhe më pas e kanë zënë poshtë gjatë procesit të punës./a.m.