Ai u arrestua sapo ishte kthyer nga Shqipëria me varkën e ngarkuar me 120 kg marijuanë. Por ndërsa zbriste nga mjeti lundrues e priste Guardia di Finanza.
Për këtë arsye, Ivano Palermo, 51 vjeç u arrestua pasi iu gjet mjeti i mbushur me drogë.
Sot 51-vjeçari doli para gjykatës e cila i dha masën arrest me burg. Ai është rrëfyer para gjykatës se për të transportuar drogën në Leçe është paguar 5 mijë euro.
Lënda narkotike vinte nga Shqipëria, sipas italianit 51-vjeçar dhe atë e kishte lidhur me trafikantët shqiptar një person (i dyshuar po shqiptar) raporton Panorama.
Ky i fundit i kishte dhënë edhe një telefon, tek i cili do t’i telefonin trafikantët kur të “zbriste” në tokën italiane.
Dy ditë më parë u zbulua varka 6 metra e gjatë dhe me motor të fuqishëm, e cila në pamje të parë nuk të linte asnjë përshtypje se ishte e ngarkuar me drogë.
Por pas një kontrolli të imtësishëm, në pjesën e poshtme dhe tek vendi i timonit u zbuluan 34 pako të mëdha me marijuanë me një peshë totale 118 kg. Droga nëse hidhej në treg kapte vlerën e 1 milion eurove./a.m.