Lejet e reja të drejtimit nuk do të përmbajnë më elementë të sigurisë së poseduesit, si grupi i gjakut dhe shenjat e gishtërinjve. Autoritetet e transporteve thonë se këto të dhëna hiqen nga patentat në vitin 2017, pasi janë lehtësisht të gjetura në sistemin e gjendjes civile. Sipas Drejtorisë së lejeve të drejtimit në shërbimin e transportit rrugor, përmbajtja e patentave të reja do të bëhet sipas direktivave të Bashkimit Europian.
Në një prononcim për “Ora News”, drejtori i lejeve të drejtimit në shërbimin e transportit rrugor, Shkëlqim Gruda thekson se heqja e grupit të gjakut është si rezultat i ndryshimeve të fundit në Kodin Rrugor i cili është miratuar pak kohë më parë më të cilin parashikohet që kjo kategori nuk do të shënohet më në lejet e reja të drejtimit që do të shpërndahen vitin e ardhshëm.
“Heqja e grupit të gjakut është nga kodi rrugor i cili është miratuar, nuk shënohet. Lidhur me shenjën e gishtit vazhdon akoma trë aplikohet vendosja e shenjës së gishtit deri në momentin kur të dalë leje drejtimi model i ri, që parashikohet nga janari i 2017. Leja e drejtimit që do të hyjë pas janarit do të jetë pothuajse identike si leja e drejtimit të shteteve të BE”- bën me dije Shkëlqim Gruda.
Drejtori i lejeve të drejtimit në shërbimin e transportit rrugor, thotë se ndryshimet do të reflektohen në 2017, ku do të ketë risi të tjera në procedurat e marrjes së lejes së drejtimit.