Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” është certifikuar në nivelin e parë të programit për Akreditimin e Karbonit në Aeroporte për kontributin e dhënë në përcaktimin e burimeve dhe kalkulimin e emetimit të gazrave sere në baza vjetore brenda kompanisë.
Në një njoftim për media thuhet se duke marrë parasysh problemet qe vijnë si rezultat i kësaj dukurie dhe ndikimin e aeroporteve në rritjen e vetëdijes për mbrojtjen e ambientit, Aeroporti i Prishtinës ka filluar me identifikimin e faktorëve ndikues, për të vazhduar me planifikimin e strategjive që do të ndikojnë pozitivisht në zvogëlimin e emetimit te gazrave.
Akreditimi i Karbonit në Aeroporte është program i cili administrohet nga kompania WSP Parsons Brinckerhoff të caktuar nga Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve në Evropë, i cili përfaqëson rreth 500 aeroporte nga 45 vende Evropiane./KosovaPress/a.m.