Komision Qendror i Zgjedhjeve është mbledhur gjatë ditës së sotme për të diskutuar 12 pikat e rendit të ditës.
Mes këtyre pikave ishte diskutimi mbi zgjedhjet lokale të pjesshme në Dibër, ku ish-Kryetari Shukri Xhelili u largua pasi u kap në një aferë korruptive.
Në diskutimet e kësaj pike, pati një debat, përfaqësuesi ligjore i qeverisë në Komision, Eridian Salianji, theksoi se Presidenti ka shkelur Kushtetutën, duke mos pritur zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kundër kësaj deklarate, u shpreh, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Njazi Kosovrati. “PS e dinte që do zhvilloheshin zgjedhjet, e dinte që kandidati i saj bëri zullumin e madh, çfarë prisnin këta që Gjykata Kushtetuese ta kthente në detyrë? S’jam dakord, të mos ketë shtyrje për kandidatët”.
Ndërkaq Denar Biba, përfaqësues i PS në KQZ tha se shtyrja e kërkuar nga data 17 në 20 nuk përbën problem.
Në fund të Diskutimeve Komisioni vendosi ngritjen në rrethin e Dibrës të KZAZ për regjistrimin e kandidatëve të tre partive. KQZ vendosi datën 19 gusht për paraqitjen e propozimeve të partive politike për anëtarë të KZAZ-së në Dibër.
Me 7 vota pro, KQZ vendosi për përdorimin e kamerave dhe monitorëve që do përdoren. KQZ vendosi me 7 vota pro përdorimin e kamerave të sigurisë në vendet e numërimit të votave. KQZ do hedhë short për zgjedhjen e anëtarit të shtatë të KZAZ Dibër, që do propozohet nga PD./atsh/a.k