Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ka ndjekur me shqetësim të thellë situatën e jashtëzakonshme të krijuar në Maqedoni për shkak të rreshjeve të shiut që kanë shkaktuar një numër viktimash mes qytetarëve të Maqedonisë.
“Me shqetësim të madh, trishtim të thellë dhe solidaritet të plotë kam ndjekur situatën e pazakontë të krijuar nga rreshjet e shiut në Maqedoni dhe veçanërisht në Shkup e Tetovë.
Në këto momente dramatike unë bashkoj dhembjen time me të gjithë familjarët e viktimave dhe lutjet e sinqerta për të ndalur me kaq ky bilanc tragjik humbjesh.
Ngushëllimet më të thella për ta dhe solidaritet me gjithë të prekurit nga kjo fatkeqësi e tmerrshme natyrore.
Në emër të Kuvendit të Shqipërisë ju përcjell banorëve të këtyre zonave dhe autoriteteve zyrtare të Maqedonisë, të Shkupit dhe të Tetovës, solidaritetin tonë më të thellë. Ne nxisim, mbështesim dhe përshëndesim çdo iniciativë të qeverisë shqiptare për t’ju gjendur pranë, sipas mundësive tona, qytetarëve të Maqedonisë dhe autoriteteve zyrtare të Shkupit dhe të Tetovës.
Kam besim të plotë se banorët e prekur nga kjo fatkeqësi natyre, autoritetet zyrtare të fqinjit tonë, por dhe partnerët evropianë të Maqedonisë dhe sidomos fqinjët e tij, do të jenë në një front e në një aksion të përbashkët për të përballuar tërbimin e natyrës dhe për të minimizuar në maksimum, dëmet e shkaktuara”, thuhet në njoftimin e Kuvendit./a.m.