Dy arushat që shpëtuan vetëm pak ditë më parë nga abuzimi që u bëhej, sot lëvizin brenda hapësirave të Kopshtit Zoologjik. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka postuar në rrjetin social “Facebook”, disa imazhe që tregojnë gjendjen në të cilën ndodhen dy arushët që keqtrajtoheshin në qytetet bregdetare.
Në fotot e publikuara shikohet se dy vizitorët e rinj të Kopshtit Zoologjik janë përshtatur në ambientin e ri dhe luajnë sëbashku. Ndërsa punonjës të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit janë duke u kujdesur në ushqyerjen dhe përshtatjen e tyre në ambientin e ri.
“Pak nga pak, dy arushët bebe po mësohen në Tirana Zoo. Nëse nuk i ke çuar ende fëmijët, bëjuni një vizitë sot. Kolegët e APR po u ofrojnë kujdes të specializuar për të stabilizuar gjendjen e tyre shëndetësore pas stresit e torturave”, shkruan Veliaj.
Dy ditë më parë, ISHPM solli në Kopshtin Zoologjik arushët të cilët përdoreshin nga individë të ndryshëm si subjekt fotografish për turistë të ndryshëm në zonat bregdetare.