Si asnjëherë më parë, Shqipëria ka qenë në vëmendjen e mediave kryesore për bukuritë e saj. “Një diamant që ende nuk është në shkëlqim, por me shumë bukuri. Është ky imazhi që i përshtatet më shumë Shqipërisë, një tokë që fsheh shumë vende të pashkelura, plazhe të ngjashme me ato të Karaibeve dhe mikpritje të madhe”, shkruante së fundmi Tgcom. Media të tjera e kanë promovuar si një vend me bukuri të virgjër, çmime të lira, ushqime të shijshme, mikpritëse, ndërthurje të bukurive mes detit, natyrës, malit, aventurës. Me pak fjalë, i ka të gjitha bukuritë që mund t’i japë natyra një vendi.
Përtej kësaj panorame, që të krijon përshtypjen se Shqipëria është një vend i sapozbuluar në parajsë dhe që do të gëlonte nga turistët, realiteti është zhgënjyes. Hotelet raportojnë se zënia e kapaciteteve në korrik ishte më e ulët se vitin e kaluar dhe nisur nga prenotimet, pritshmëritë janë të vakëta edhe për gushtin, por të paktën shpresohet që të kenë punë njësoj me gushtin e 2015-s.
Qendra e Kërkimeve Monitor (QKM) realizoi në data 20-25 korrik një sondazh me një kampion prej 100 hotelesh në qytetet bregdetare në vend, nga Saranda në Velipojë. Përfaqësuesit e hoteleve janë pyetur për zënien e hoteleve në korrik, në raport me të njëjtin muaj të vitit të kaluar dhe prenotimet për muajin gusht, si dhe për arsyet e tendencës që ata raportojnë.
Nga sondazhi rezulton se zënia mesatare e hoteleve për muajin korrik ka qenë 55% nga 64% që ishte në korrik të një viti më parë.
Muaji i Ramazanit, problemet me infrastrukturën, mungesa e energjisë, Kampionati Europian, kriza ekonomike, mungesa e investimeve në turizëm kanë ndikuar që hotelet, në pjesën më të madhe, të raportojnë më pak punë sesa vjet.
Por, këtë vit, në krye të të gjitha shqetësimeve mbetet infrastruktura. Punimet në Lungomaren në Vlorë, në rrugën e plazhit në Durrës, duket se janë kthyer jo vetëm në makthin e pushuesve që rrinë e presin me orë të tëra në vapë, por edhe të bizneseve, që po ndiejnë largimin e klientëve.
Pjesa më e madhe e të anketuarve që raportojë rënie të prenotimeve në raport me një vit më parë, etiketojnë infrastrukturën si “fajtorin” kryesor. Më pas renditin situatën ekonomike, që ka ndikuar në fuqinë blerëse dhe e treta është muaji i Ramazanit, që ka mbajtur larg kryesisht pushuesit nga Kosova.
55% e të anketuarve raportojë se korriku ka qenë më keq se vjet dhe vetëm 10% e të anketuarve thonë se ata janë më mirë se vjet. Një vit më parë, përqindja e optimistëve ishte 23%.
Turqia dhe Jugu i “rrëmbejnë” pushuesit Durrësit
Pjesa më e madhe e hoteleve në bregdetin e Durrësit dhe të Kavajës janë shumë pesimistë. Ata raportojnë rënie në krahasim me vitin e kaluar për prenotimet e korrikut dhe nuk janë shumë optimistë as për gushtin. Resort “Klajdi”, që korrikun e vitit të kaluar i kishte të 50 dhomat të prenotuara, këtë vit ka të zëna vetëm 60% të tyre. Përfaqësuesi i këtij resorti etiketon situatën ekonomike si shkakun kryesor të kësaj rënieje. Durrësi, në fakt, me ndërtimet pa fre dhe problemet me pastërtinë e ujit, prej vitesh i ka larguar pjesën më të madhe të pushuesve, që kërkojnë alternativa të tjera më interesante. Këtë vit, përveç Jugut, një pjesë të pushuesve e ka marrë dhe Turqia. “Kemi rënie për arsye se Turqia ka ulur shumë çmimet dhe njerëzit preferojnë të marrin paketa turistike, gjithashtu bregdeti i Jugut ka filluar të preferohet më shumë nga pushuesit si dhe rikonstruksionet e rrugëve kanë bërë që pushuesit të mos kenë qetësinë e duhur”, thotë përfaqësuesi i hotel “Bel Conti”. Në korrik, ai raporton 18 dhoma të zëna, nga 31 që ka gjithsej, ndërsa në të njëjtin muaj të një viti më parë kishte rreth 25 dhoma të zëna. Në gusht pret që të ketë të zëna 60% të dhomave, nga 80% në gusht 2015.
Edhe përfaqësuesi i “Belavista” në Durrës thotë se pushuesit tani preferojnë Jugun.
“Rënia ka ardhur për shkak të problemeve me ujërat e zeza dhe energjinë elektrike”, thotë përfaqësuesi i hotel “3 Fratelli” në Kavajë.
Shumë biznese ankohen dhe për rënien e fuqisë blerëse, që po largon pushuesit. “Rënia ka ardhur për shkak të taksave të larta, pushuesit nuk kanë mundësi të përballojnë çmimet”, thotë përfaqësuesi i hotel “Albatros” në Kavajë. Në korrik ai kishte 30-40% të hotelit të mbushur, nga 60-70% një vit më parë.
Përfaqësuesit e hoteleve në Durrës-Kavajë ankohen dhe për problemet me infrastrukturën, energjinë, ujërat e zeza, papastërtitë.
Hotel “Adriatik” (me 70 dhoma), hotel “AS” (me 123 dhoma) dhe kompleksi “Fafa” (me 150 dhoma) janë nga të paktët në zonën e Durrësit, që raportojë zënie afër 100% të kapaciteteve për korrikun.
Vlora, e marrë peng nga infrastruktura, fillojnë anulimet e prenotimeve
Infrastruktura është kryefjala e ankesave për përfaqësuesit e hoteleve të Vlorës, që pothuajse njëzëri thonë se situata është më keq se vjet. Teksa pushuesve u duhet të rrinë dy orë në vapë për të përshkuar disa kilometra në rrugën e re të Lungomares, që askush nuk e ka shpjeguar se pse është bërë kaq e ngushtë, shumëkush nuk dëshiron ta përjetojë më këtë përvojë dhe madje kanë filluar të anulojnë prenotimet.
“Rënia ka ardhur për shkak të infrastrukturës shumë të dobët”, thotë përfaqësuesi i “Hotel International”, i cili nga 65 dhoma, vetëm 20 i kishte të mbushura në korrik (zënia e kapacitetit vetëm 31% nga 80% në korrik 2015).
Hotel “Jerolda” në Vlorë kishte vetëm 2 dhoma me klientë, nga 30 gjithsej. “Kjo rënie ka ardhur për shkak të problemeve me energjinë dhe investimet e reja që po dëmtojnë bukurinë e bregdetit”, thotë përfaqësuesi i këtij hoteli. Edhe hotel “Miramare”, shkaktare janë problemet për rrugën për rënien e pushuesve këtë vit.
“Rënia ka ardhur për shkak të problemeve me rrugët, plazhi nuk ofron qetësinë që kërkojnë pushuesit”, thotë përfaqësuesi i “Coral Hotel & Resort”, që ka të zëna vetëm 43% të kapaciteteve. Ai thekson që ka shumë anulime të prenotimeve dhe e ka të vështirë të parashikojë si do t’i ecë aktiviteti në gusht.
Përtej problemeve me infrastrukturën, Vlora vuan dhe imazhin e keq të krijuar për raportin e pafavorshëm cilësi-çmim. Çdo verë gëlon nga ankesat e pushuesve për çmime të shtrenjta, shërbim të dobët, mangësi në shërbim, çka bën që shumëkush të vendosë të shkojë disa kilometra më tej në Greqi, edhe pse mund të shpenzojë pak më shumë, apo të pushojë pa e vrarë mendjen në resortet me të gjitha të përfshira në Turqi.
Saranda ankohet për rënie të ndjeshme
Nuk është vetëm Vlora që ankohet nga rënia e pushuesve. Hotelet në Sarandë raportojnë rënie të ndjeshme të aktivitetit.
Përfaqësuesi i Hotel Aulona, që ka të zëna vetëm 33% të kapaciteteve, citon disa arsye. “Rënia drastike ka ardhur për shkak të publicitetit negativ nga të huajt që i është bërë plazhit të Sarandës në lidhje me ndotjen, konkurrencën nga shtëpitë e reja të pushimit, si dhe rënies ekonomike.
Hotel “Driloni” duket se e ka gjetur zgjidhjen duke lidhur kontratë me kompani që garantojnë rezervim të plotë të dhomave për të gjithë sezonin e verës. Këtë verë, ai e ka të fjetur mendjen se do t’i përdorë të 22 dhomat, ndërsa vitin e kaluar, situata nuk ishte kaq pozitive.
Hotel “Iliria”, me 30 dhoma, që ka një zënie vetëm 20% në korrik, bën shkaktare situatën e vështirë ekonomike. Taksat e larta, rritja e dobët dhe çmimet e shtrenjta janë arsyet sipas hotel “Nertili”, që ka vetëm 3 dhoma të zëna nga 15 gjithsej.
Hotelet në Sarandë ankohen edhe për konkurrencën e pandershme, teksa raportohet një shtim i shtëpive të pushimit të paautorizuara.
Edhe Veriu vuan mungesën e pushuesve
Hotelet e anketuara në Velipojë raportojnë zënie të hoteleve nën 60-70%. “Rënia ka ardhur për shkak të mosinvestimit të qeverisë në sektorin e turizmit”, thotë përfaqësuesi i “Godija Hotel & Suits”, që nga 30 dhoma, ka të zëna vetëm 40% të tyre.
Hotel “Zelin” në Shëngjin raporton rënie të prenotimeve me 30% në raport me korrikun e vitit të kaluar.
Kompleksi turistik “Inheritor” në Shëngjin, me 50 dhoma, por me kapacitet shtretërish që mund të akomodojë 500 pushues ka të zëna rreth 60% të kapaciteteve, ndërsa vitin e kaluar ishte pothuajse i mbushur plot.
Keq edhe në Pogradec
Hotel “Millennium 1” në Pogradec vitin e kaluar në korrik i kishte të zëna të gjitha dhomat. Këtë vit ka të zëna vetëm 50% të tyre. Përfaqësuesi i saj thotë se rënia ka ardhur për shkak të krizës ekonomike.
Hotel “Pogradec 1” nuk kishte asnjë dhomë të lirë, nga 60 në total, që mund të mbajnë deri në 200 pushues. Këtë vit ka të mbushura më pak se gjysmën e dhomave. Rënia, sipas tyre, ka ardhur për shkak të infrastrukturës dhe problemeve me turizmin.
Pak më optimistë për gushtin
Nga Jugu në Veri, përfaqësuesit e hoteleve shpresojnë që gushti të jetë të paktën i njëjtë me vitin e kaluar. 62% e tyre presin që situata të jetë e njëjtë me vitin e kaluar, në krahasim me 20% që ishte kjo pritshmëri një vit më parë.
Është shumë më e ulët përqindja e atyre që presin që situata të jetë më e mirë se një vit më parë, vetëm 5.6%, nga 27% vitin e kaluar.
Pjesa më e madhe e hoteleve mbeten në dorë të rastësisë dhe nuk i kanë prenotimet e garantuara “Kam vetëm 3 dhoma të prenotuara deri më tani, nuk di si do të jetë gushti këtë vit”, thotë përfaqësuesi i hotel “Pashai” në Vlorë.
Modeli pozitiv i turizmit
Një nga resortet me më shumë dhoma në vend gjendet pikërisht në Shëngjin. Hotel “Rafaelo”, me kapacitet 414 dhoma, që mund të akomodojnë deri në 1500 pushues, thotë se ka mirëpritur 1200 persona, nga 1050 persona në korrik të vitit të kaluar dhe zënia e kapaciteteve ishte 80%. Teksa ka ngritur një model të ngjashëm me resortet turke (të gjitha të përfshira) ai pret pushues nga e gjithë Europa e bota, po kthehet në një shembull për modelin që duhet të kishte ndjekur turizmi shqiptar. Në bazë të prenotimeve, hoteli pret deri në 1600 persona në gusht.
“Rafaelo 2002” ka qenë një stacion i thjeshtë akomodimi deri sa Mark Gjini, një biznesmen në sektorin e ndërtimit, vendosi të diversifikohej në sektorin e turizmit rreth 8 vjet më parë. Ai ndërmori sfidën e ndërtimit të objekteve akomoduese në një hapësirë në nisje të qytetit të vjetër, të konceptuar me një seri shërbimesh që do t’i ofroheshin turizmit masiv dhe shtresës së mesme. Vetëm dy orë larg Kosovës, shumë shpejt resorti do të shndërrohej një ofertë mjaft joshëse për bashkëkombësit, të cilët bëjnë një vit në avancë prenotimet. Aktualisht, resorti ka një kapacitet akomodues prej 1800 personash, ndërsa ofron paketat turistike “all inclusive”. Zef Pemati, një nga menaxherët e kompleksit, tregon se tre muajt e kësaj vere janë të prenotuar nga 350 turistë çekë dhe polakë.
Paketa ofrohet kundrejt 35 eurove në ditë për person dhe ka të përfshirë të gjitha vaktet dhe shërbimin në plazh falas. Kompleksi ofron një seri restorantesh dhe baresh që shërbejnë për nivele të ndryshme të turistëve me supermarkete dhe qendrën shëndetësore, mundësi për shopping dhe guida në plazhet e Ranës së Hedhun.
Pemati tha se kërkesa për shërbimet turistike po vjen në rritje nga viti në vit dhe shërbimet ofrohen gjatë gjithë vitit. Më herët në një prononcim për “Monitor”, investitori Gjini pati pohuar se, xhiro vjetore e resortit është rritur me rreth 30% në vit dhe është një nga aktivitetet më të qëndrueshme të tij. Ai tregoi se, i lindi ideja për të investuar në një resort nisur nga përvojat rajonale të sektorit.
Monitor/d.i.