Asnjëra prej kamerave të sigurisë që ka filmuar autorët e grabitjes në Rinas, apo mjetet me të cilat ata kanë lëvizur, nuk shërben për identifikimin e personave të implikuar në krim.
Dosja ka mbetur pa autor në lidhje me vjedhjen e 995 mijë eurove dhe të vetmit të akuzuar e të arrestuar janë pesë zyrtarët e Rinasit dhe të policive private, që akuzohen se kanë “shpërdoruar detyrën” me mosveprime në lidhje me ngjarjen.
Së paku, tri kamera sigurie kanë filmuar “nga afër” makinën tip “Benz 250” dhe më pas furgonin e transportit të përdorur nga autorët për largim nga vendi i ngjarjes. Asnjëra nga këto kamera që kanë regjistruar lëvizjen e autorëve të grabitjes, nuk ka shërbyer për identifikimin pamor të ndonjërit prej grabitësve të Rinasit.
Lajmi është bërë me dije nga burime të Prokurorisë, që kanë thënë se pjesa e hetimit për autorët e grabitjes së thasëve me kartëmonedha eurosh i është deleguar policisë me detyra konkrete.
Një nga këto detyra ka qenë këqyrja e përsëritur e materialeve filmike të marra nga të gjitha kamerat e sigurisë në itinerarin ku kanë lëvizur autorët e supergrabitjes. Mësohet se një kamera ka kapur në distancë të afërt makinën tip “Benz 250” në largim pas daljes nga Rinasi.
“Pamjet më të afërta ishin ato të kamerave të sigurisë së karburantit që ndodhet vetëm disa hapa larg portës së pistës së Aeroportit, ku autorët arritën të futen me makinë, pasi prenë drynin”, kanë thënë burimet.
Sipas tyre, edhe nga këto pamje filmike nuk është arritur të zbulohet asnjë e dhënë për autorët, pasi ata kanë qenë të maskuar me kapele dhe mjete të tjera, me të cilat kanë fshehur identitetin e tyre (nga kamerat nuk dallohet nëse kanë mbuluar gjithë fytyrën apo kanë fshehur pjesërisht atë). Cilësia e regjistrimit filmik është e tillë që, sipas hetuesve, nuk arrihet të shquhet fytyra e asnjërit prej personave.
Edhe dy kamera të tjera kanë filmuar më pas lëvizjet e autorëve të krimit, pasi kanë djegur veturën pranë Rinasit dhe kanë marrë furgonin e bardhë të transportit tip “Ford”, me të cilin provohet se kanë ikur deri në Laknas ku kanë humbur gjurmët.
Në këtë itinerar të lëvizjes së autorëve kanë qenë dy kamera subjektesh private që kanë kapur lëvizjet e autorëve të grabitjes. Madje, njëra nga kamerat ka kapur në detaj njërin nga personat që ka qëndruar në sediljen e përparme të furgonit të përdorur nga autorët për arratisje.
Por ndërsa shquhet ky person nga larg, zmadhimi i pamjeve filmike nuk ka dhënë rezultat në identifikimin e tij, pasi cilësia e regjistrimit është tepër e dobët.
Mësohet se specialistët kanë provuar mënyra të ndryshme për zmadhimin e imazhit të nxjerrë nga kamera, por një gjë e tillë ka dështuar. Më 12 korrik 2016, pranë pallatit me shigjeta u gjet edhe furgoni që dyshohet se kanë përdorur autorët e krimit, por brenda tij nuk ishte lënë asnjë provë.
Hetuesit verifikuan për gjurmë gishtash, qime, bisha cigaresh, apo çdo provë tjetër, por asgjë nuk u gjet në atë mjet. E vetmja e dhënë që është sqaruar në lidhje me furgonin është se ai është vjedhur jashtë Tiranës, ashtu sikurse ishte vjedhur në Pogradec edhe makina tip “Benz 250”, me të cilën autorët hynë në pistën e Rinasit.
Nga ana tjetër, mësohet se edhe paruka e sekuestruar një ditë pas ngjarjes në zonën ku u dogj automjeti i përdorur në pistën e Rinasit, nuk ka dhënë rezultat në identifikimin e ndonjërit prej autorëve të supergrabitjes.
Panorama/d.i.