Trajneri i kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, nuk do të bëjë gjumë të qetë sot. Një nga futbollistët që tanimë mund të cilësohet “i paprekshëm” në formacionin kuqezi, mbrojtësi Arlind Ajeti, është dëmtuar duke braktisur shumë shpejt miqësoren që Torino ka luajtur kundër anglezëve të Hall Sitit.
Dëmtimi i Maksimoviç kishte kthyer mbrojtësin e kombëtares shqiptare në një titullar te Torino, ku kishte shkëlqyer menjëherë me paraqitjet e tij duke marrë vlerësime nga specialistët dhe mediat italiane.
Ndaj edhe gjatë ndeshjes së sotme, Ajeti e filloi sfidën si titullar në qendër të prapavijës. Por në minutën e 14-të të sfidës, pas një goditje të pësuar në pulpë, ai u desh të largohej nga fusha e lojës pasi ndjente dhembje dhe nuk mund të vazhdonte më.
Dëmtimin e tij, si dhe të dy lojtarëve të tjerë gjatë ndeshjes që përfundoi 2-1 për Torinon, e konfirmoi edhe vetë klubi italian nëpërmjet një komunikate për shtyp të shpërndarë pas përfundimit të sfidës, shkruan panorama.
“Ajeti ka dalë para kohe nga fusha e lojës si pasojë e një goditje të fortë në pulpë”, ishte shpjegimi i Torinos rreth futbollistit shqiptar i cili do të monitorohet në ditët në vazhdim.
Kur na ndan më pak se një muaj nga ndeshja e parë e kualifikueseve të Botërorit 2018 ndaj Maqedonisë, dëmtimi i Ajetit është një lajm aspak i mirë për trajnerin De Biazi. Mbrojtësi, që planifikohej si titullar në formacionin kuqezi në vend të Lorik Canës i cili i ka dhënë lamtumirën kombëtares, ishte futbollisti i cili kishte luajtur më rregullisht gjatë fazës përgatitore dhe vlerësohet si një nga pikat më të forta të përfaqësueses.