Shkencëtarët kanë krijuar katalogun e planetëve, të cilët janë të ngjashëm me Tokën, mes atyre të identifikuar nga teleskopi hapësinor “Kepler (NASA)”, misioni i të cilit është pikërisht ai që të gjejë planet në sisteme të ndryshme diellore
Deri më sot janë në total 3.489 planetët e zbuluar përtej sistemit tonë diellor. Disa prej tyre rrotullohen në prani të të tjerëve në brendësi të një sistemi unik planetar, e të tjerë janë gjetur si trupa qiellorë të vetëm. Para një viti u lajmërua se u gjet një planet shumë i afërt me Tokën, aq sa ai jo rastësisht u quajt binjaku i planetit tonë.
Në realitet, për të pasur një planet të vërtetë binjak, është e nev
ojshme që të jenë në harmoni shumë faktorë, e jo vetëm fakti që të bëhet fjalë për një planet shkëmbor, ose që të ketë probabilitet që tek ai të ekzistojë ujë i lëngshëm. Është e domosdoshme që të ketë një atmosferë të ngjashme me tonën, një fushë magnetike, alternimin e stinëve, e kështu më radhë.
Sido që të jetë, mes këtyre planetëve të shumtë, ai i quajtur Kepler-452b është trupi qiellor që ne mund ta etiketojmë si më të ngjashmin me Tokën, e nëse bëjmë ndonjë lëshim të vogël, nuk do të rrijë i vetmi i tillë.
Aktualisht, shkencëtarët kanë krijuar katalogun e 20 planetëve, të cilët janë të ngjashëm me Tokën, mes atyre të identifikuar nga teleskopi hapësinor “Kepler (Nasa)”, misioni i të cilit është pikërisht ai që të gjejë planet në sisteme të ndryshme diellore.
Analiza e të dhënave të teleskopit Kepler bëri të mundur që të kufizohet fusha me identifikimin e 216 planetëve të cilët gjenden në zonën e jetueshme të sistemeve të tyre diellore. Për astronomët, ky është rripi brenda të cilit energjia që vjen nga ylli, lejon që të ekzistojë uji në gjendje të lëngshme. Brenda këtij grupi janë 20 planetë që mund të kenë karakteristika të njëjta me Tokën, shpjegoi Stephen Kane nga “San Francisco State University”, koordinator i kërkimit. “Katalogu është më i përditësuari që kemi dhe është i rëndësishëm, sepse tani kërkimet mund t’i përqendrojmë në këto 20 planetë. Do të kemi mundësi që të përcaktojmë më saktë si janë krijuar dhe të verifikojmë nëse realisht janë të banueshëm”.
Planetët e identifikuar jo vetëm kanë ujë në gjendje të lëngshme, por janë edhe shkëmborë e disa prej tyre mund të kenë një atmosferë.