Nga Lorenc Vangjeli
Edhe një herë si përherë. Pasardhësi e Paraardhësi, kryeministri dhe ish-kryeministri, Rama e Berisha, shkëmbyen replika më të nxehta se temperaturat e gushtit. Si për të dhënë dëshminë e rradhës se dyluftimet në politikë nuk bëjnë pauzë as në kohë pushimi.
Njëri duke lëvduar e tjetri duke sharë.
Njëri pasojë, tjetri edhe shkak, edhe pasojë.
I pari duke thënë se Fatmir Xhafaj ka drejtuar reformën më të vështirë dhe më të rëndësishme të 25 vjetëve të fundit.
I dyti duke thënë se vëllai i Fatmirit kishte paguar miliona euro për të fshehur kërkesën për ekstradim.
I pari duke i thënë të dytit diçka më shumë se qen.
I dyti duke ju kthyer të parit duke i vënë diagnozën e të sëmurit psikik.
Dhe meqë nuk ka dy pa shkuar dhe në tre, kulmi i tretë i këtij trekëndëshi të papritur gushti, është dhe vetë Fatmir Xhafaj. Juristi me karrierë të gjatë në politikë, andej dhe këtej ndryshimit të sistemit, me dy kulme të deritanishme, ministër drejtësie dhe kryetar i komisionit për reformën në drejtësi, është nga njerëzt më të lëvduar dhe më të ofenduar në këtë verë të nxehtë. Prej ditësh atij po i bëhet një karakteristikë sovjetike: ke një vëlla që ka pasur probleme me ligjin. Dhe meqë vëllai është “i keq”, çdo gjë jotja është e të njëjtës ngjyrë. Përfshi dhe reformën që lëvdon kryeministri dhe që e ka “votuar si Çeçoja, edhe vetë ish-kryeministri”.
Këtu e nja gjashtë vjet më parë, kur Xhafaj ishte dhe kryetar i grevës së urisë që socialistët bënë në Bulevard në pranverën e 2010-ës – vetë socialistët e rinj nuk para e kujtojnë këtë pjesë të opozitës së tyre, meqë shumë prej tyre thjesht nuk ishin aty – Doktori në pushtet e hapi për herë të parë dosjen e Agron Xhafajt. Dhe jo njëherë. Dhe jo vetëm ai. Për pak kohë dhe nën shembullin e Doktorit, vëllai i vogël i Fatmirit pati fatin e keq të kryqëzohej nga pjesa dërmuese e mediave nën kontrollin demokrat.
Agronin e vizatuan me zell me më shumë katran se Eskobarin, e shfaqën më të rrezikshëm se guerriljet e ardhshme të ISIS-it dhe e konsideruan më të paqëndrueshëm se paqja mes dy luftërave botërore. Pavarësisht se ishte vetëm një baba që rriste fëmijët e tij si shumica dërmuese e shqiptarëve, që nuk kishin fatin e keq, që të kishin lidhje gjaku me politikën që bën të vjellë gjak i pambrojturi.
Atë kohë, mbas një deklarimi të gjatë të vetë Fatmirit në Parlament, kjo histori u harrua çuditërisht shpejt e për një shkak të thjeshtë: ishte hapur si një mjet, element dhe armë e betejës së përditshme politike, ishte vetëm një kapitull i zakonshëm i saj. Doktori nuk kishte absolutivisht asgjë personale me Agronin. Madje as nuk e besonte atë që thoshte për të. Ai e dinte mirë se Agroni ishte një njeri i zakonshëm dhe një qytetar si gjithë të tjerët e këtij vendi dhe që do të ishte fajtor vetëm në rast se nuk e mirëkuptonte Doktorin që e sulmonte për shkak të të vëllait dhe për fajet e supozuara të vëllait të tij deputet. Me gjasë, nëse do të njiheshin, edhe do të preferonin të pinin kafe me njëri-tjetrin meqë ndajnë pak a shumë të njëjtin sens humori.
Edhe atëherë, edhe tani është e njëjta histori. Edhe mbrojtja që i bën kryeministri është në thelb e njëjta gjë me sulmet që i bënte dje dhe sot Doktori. Ndonëse me ngjyrë krejt tjetër dhe në formë tërësisht të ndryshme, kryeministri bën politikë. Duke i afruar solidaritet njerëzor Xhafajt dhe familjes së tij, ai është në linjën e mirëkuptueshme të debatit politik të ditës dhe e ka gjithashtu këtë temë si një mjet, element dhe armë të betejës së përditshme politike dhe si një kapitull të zakontë të saj. Sepse ai vetë, paraardhësi e Fatmiri, nuk dalin dot jashtë aksiomës që nuk ndryshon në Shqipëri: në opozitë të gjithë janë burra të mirë! I vetmi përjashtim këtu mbetet të jetë vetë Agroni, vlonjati që ka dëshirë që në ditë të mira e të liga, me vëllanë në pushtet apo në opozitë, të këndojë vargjet e këngës së famshme vlonjate: “E mjera un’/ o moj Dudi/ ku ta vë unë/ e ku p..erdh ti”.
Eshtë çështje shënjestre. Eshtë politikë. Nuk ka këtu asgjë personale. Agroni do të gabonte vetëm nëse mërzitej me njërin dhe krenohej me tjetrin. Por me gjasë e prej kohësh duhet ta ketë mësuar se në Tiranë kush duket se urren, nuk urren vërtet dhe kush do, nuk do vërtet! Eshtë çështje interesi, jo ndjenje. Në politikën shqiptare, interesi dhe ndjenja janë një çift që nuk rri dot kurrë në një shtrat. Kështu është dhe një herë si përherë. Gushti nuk bën përjashtim.
Llorenc,e dime se nuk ke asgje personale me Gonin,jeni shoke te vjeter e miq ne te mire dhe ne te keq.E kujt I plasi per shoket e tu?Me thuaj me ke rri,te te them se cili je.Kot nuk I ben here pes here keto karagjozlleqe neper gazeta.Por ama,sido qe te shkruash,te njohin te gjithe dhe lexo komentet se si te quajne.