Partizani do të ndeshet me skuadrën ruse FC Krasnodar, në play-ff në Europa League, një kundërshtar i fortë, i cili u rendit në vendin e katërt në kampionatin rus sezonin e kaluar.
Ndeshja e parë do të luhet më 18 gusht, në Rusi, kthimi në “Elbasan Arena”, më 25 gusht.
Interesant është fakti që edhe Krasnodar ka të njëjtin epitet si Partizani, “Demat”.
Krasnodar është një skuadër pa histori suksesesh në futbollin rus, por megjithatë është një klub me ambicie dhe buxhet të madh. Këtë e vërteton stadiumi i ri modern i klubit, me kosto 200 milionë euro, projektuar e ndërtuar nga kompanie angleze dhe gjermane. Stadiumi, me 36260 vende, është planifikuar të përfundojë këtë vit, pasi ka nisur ndërtimin më 2013.
Aktualisht, skuadra i luan ndeshjet në stadiumin e skuadrës rivale të qytetit, Kuban Krasnodar.
Skuadra i përket qytetit me të njëjtin emër, i cili shtrihet në rajonin Krasnodar Krai, 148 kilometra në veriperëndim të Novorosijskut, port në Detin e Zi. Bazuar në censusin e vitit 2010, Krasnodari ka rreth 750 mijë banorë.
Në raundin e kaluar në Europa League, Krasnodar eliminoi Birkirkara të Maltës.
D.I.