Kreu i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro ka reaguar një ditë pas ngjarjes së ndodhur në këtë qytet, ku një turist rus humbi jetën pasi u godit nga një skaf teksa lahej në det. Duke u shprehur se ngjarja e ndodhur është aksidentale, Goro sqaron se “ky aksident nuk ka ndodhur brenda zonave të kontrolluara nga bashkia”.
Goro thekson se siguria e pushuesve është prioritare për Bashkinë e Himarës, duke shtuar se janë përcaktuar vendet ku duhet të hyjnë mjetet ujore.
“Ngjarja në Himarë është aksidentale. Nuk ndodhi brenda zonave të kontrolluara nga bashkia. Na vjen keq për turistin që humbi jetën. Për ne është me rëndësi jeta e pushuesit, dhe kemi marrë masa për sigurinë. Ngjarja ka ndodhur në zonën shkëmbore, jashtë plazhit të kontrolluar. Ne kemi përcaktuar vendet ku duhet të hyjnë mjetet ujore. Nuk ka ardhur asnjë ankesë për hyrje të skafeve në zona të kontrolluara”, shprehet Goro.
Ndërkaq, pushuesit shprehen se skafet nuk duhet të lejohen të lëvizin afër bregut, pasi ata ndihen të rrezikuar.
“Ndihet edhe era e naftës në breg. Gjynah që ky vend të mbulohet nga mjetet lundruese. Skafet nuk duhet të lejohen kaq afër. Ndihemi të rrezikuar kur hyjmë në det”, shprehen pushuesit në Himarë.
Një ditë më parë, turisti rus u godit nga një mjet lundrues, e si pasojë gjeti vdekjen. Dyshohet se turisti kishte dalë në det me kostum uji dhe dëmtimet në pjesën e shpinës dhe gjymtyrëve janë shkaktuar nga helika e mjetit lundrues. 43-vjeçari nga Shën Peterburgu i Rusisë, i quajtur Denis Kaiumov po pushonte në brigjet e Himarës me bashkëshorten dhe vajzën e tij, pushime që përfunduan në një tragjedi.
BW/d.i.