Burimet e portalit Koha.net brenda Qeverisë së Kosovës marrin vesh se Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, do të shqyrtohet në Kuvend javën e ardhshme.
Qeveria e Kosovës miratoi dhe procedoi në Kuvend këtë projektligj. Këtë miratim ajo e bëri pas ndërrimit të agjendës së takimit. Qeveria u mblodh 45 minuta më herët se sa e kishin paralajmëruar për media.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se prej kësaj marrëveshje varet liberalizimi i vizave dhe integrimet evropiane.
Debati maratonik për demarkacionin me Malin e Zi, që u mbajt dje në sallën alternative të Kuvendit, nuk ndryshoi pozicionet e betonuara tash e një vit ndërmjet Komisionit shtetëror të mbështetur nga Qeveria, në njërën anë, dhe ekspertëve e opozitës, në anën tjetër. Ballafaqimi i argumenteve për më shumë se 12 orë shkaktoi edhe përplasje ndërmjet anëtarëve të dy komisioneve. (b.an)