Kompania e ndërtimit, “Victoria Invest” me pronar Fatmir Kuçin i arrestuar për vrasjen në det me skaf të një turisti rus, po ndërton një port jahtesh dhe një kompleks turistik gjigant në Kalanë e Turrës, në Kavajë.
Projekti koncesionar parashikon ndërtimin e hapësire për akomodimin e mjeteve të vogla lundruese si dhe mjeteve turistike. Investimi për portin e jahteve kap shifrën e 20 milionë euro dhe kompania e Kuçit ka fituar koncesionin në bashkëpunim me kompaninë zvicerane FINSEC.
(Projekti i portit të jahteve dhe kompleksit turistik në Kalanë e Turrës, Kavajë)
Porti do të ndërtohet në plazhin pranë kalasë së Turrës, e cila gjendet rreth 12 km larg rrugës nacionale Kavajë-Rrogozhinë. Porti është pjesë e një projekti të madh që do të përfshijë edhe ngritjen e strukturave akomoduese në tokë, si: hotele, rezidenca, vila, dyqane tregtare, por edhe restorante, kafene, fusha golfi, spa dhe facilitete të tjera sportive.
Victoria International Invest, është një kompani me shtrirje të gjerë aktivitetesh, e përqendruar kryesisht në fushën e ndërtimtarisë. Ka të punësuar rreth 470 persona, ndërsa shtrihet në tre vende në Republikën e Shqipërisë, Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Maqedonisë.
Fillimet e “Victoria Invest International” janë që në fillim të viteve ’90, nën menaxhimin e Fatmir Kuçit, e përqendruar fillimisht në veprimtarinë e transportit detar dhe tokësor, duke u shndërruar në një nga kompanitë më të fuqishme të transportit në Shqipëri.
Menjëherë pas luftës në Kosovë në vitin 1999, drejtori Fatmir Kuçi, caktoi si prioritet investimet në këtë vend. Kuçi, gjatë viteve 1999-2001, u autorizua nga kompania Hidroterm, duke u shndërruar kështu në furnizuesin kryesor të materialeve të ndërtimit në Kosovë. Së fundi, në vitin 2001, Kuçi themeloi shoqërinë “VICTORIA INVEST Group International”, e cila filloi aktivitetin e saj në fushën e ndërtimit në Shqipëri dhe Kosovë.
“Victoria Invest”, në vitet 2004-2006 ka qenë mjaft aktive edhe në procesin e privatizimeve në Kosovë. Aty ka arritur të blejë këto katër kompani strategjike: “Mirusha” LLC, “Farmakos – Austrian House” LLC, Lavertari – Blegtori LLC, Drenica Land LLC.
Aktualisht kompani ka fituar tenderin për ndërtimin e rrugës Kërçovë-Ohër dhe të rrugës Gostime-Gjyrale-Belesh./shqiptarja.com/a.k