Presidenti i Republikës, Bujar Nishani është shprehur sot në një konferencë për shtyp, se kur ndryshimet kushtetuese hyjnë në fuqi më 11 gusht, Presidenti ngarkohet të zgjedhë përmes shortit anëtarët e KED. Kushtetuta i kërkon Presidentit të shpallë shortin brenda 5 ditëve. Por, Presidenti Nishani shprehu shqetësimin pasi nuk ka ligj për të përcaktuar kriteret e anëtarëve të KED dhe ftoi per kete qellim , një takim konsultativ me përfaqësuesit e grupeve parlamentare.
“Neni përkatës i Kushtetutës, neni 149/d, përcakton në pikën 3 që Këshilli i Emërimeve përbëhet nga 9 anëtarë që zgjidhen me short nga Presidenti brenda pesë ditësh nga hyrja në fuqim, ndërsa pika 5 përcakton që kriteret e tjera për shkallën e kualifikikmit të kandidatëve parashikohen me ligj. Pra Presidenti, ndodhet në një situatë kur Kushtetua i kërkon të zgjedhë dhe po Kushteuta i kërkon që kriteret e atyre që kandidojnë përcaktohen me ligj, ndërkohë që nuk ka ligj ende për këtë”, tha Nishani.
Presidenti tha se për këtë situata ka informuar Parlamentin dhe shprehu gatishmërinë që kjo problematikë të gjejë zgjidhjen më të mirë të mundshme.
Kushtetuta e re hyn në fuqi më 11 gusht dhe Presidenti ka kohë deri më 16 gusht që të përzgjedhë me short nëntë anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Po nëse shkelet ky afat? Presidenti tha se Kushtetuta parashikon edhe këtë rast dhe nuk do të ketë ngërç, pasi e drejta e zgjedhjes së anëtarëve i kalon kreut të Kuvendit me dyfishin e afatit kohor.
“Nëse shkelet afati 5-ditorë nga Presidenti, e drejta e zgjedhjes me short të anëtarëve të Këshillit të Emërimeve i kalon Kryetarit të Kuvendit, që ka 10 ditë afat”, tha Presidenti.
“Nuk ka ligj për të përcaktuar kriteret e anëtarëve të Këshillit të Emërimit në Drejtësi. Brenda 16 gushtit duhet të bëj përzgjedhjen me short të anëtarëve . Jam në kontakt me Kuvendin për këtë shqetësim. Ftoj në takim konsultativ përfaqësues nga grupet parlamentare. Ftesa për grupet parlamentare është të martën në orën 11:00, tha Nishani.