Përfaqësues të biznesit thonë se vendimi i Ministrisë së Bujqësisë për të ndalur lëvizjen e kafshëve deri në vaksinimin e tyre po favorizon mishin e importit dhe mund të çojë në pasoja fatale për fermerët shqiptarë.
“Është e paimagjinueshme se çfarë dëmi ju shkakton dhe unë me plot gojën mund të them, dhe nga analizat që kemi bërë, ju shkakton dëm deri në faliment”, deklaroi Agim Rrapaj nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar.
Kreu i Këshillit i Agrobiznesit Shqiptar i kërkon Ministrisë së Bujqësisë të përshpejtojë procesin e vaksinimit të kafshëve dhe të çlirojë nga moratoriumi zonat që nuk janë të prekura.
“Është hapur një panik, sa kohë do të zgjasë? Për 10 deri 15 ditë kjo çështje duhet të përfundojë. Vijojmë të këmbëngulim që në ato qarqe ku nuk ka shenja të sëmundjes nuk mund të vazhdohet, po përfundoi vaksinimi, me moratorium dhe me ndalim. Brenda këtyre qarqeve ne mendojmë se duhet lejuar procesi i therjes dhe i këtij lloj biznesi”, vijoi Rrapaj.
Aktualisht në vend janë prekur vetëm 280 krerë në zonën verilindore të vendit. Ndërkohe që në rang vendi numërohen mbi 300 mijë. Zoti Rrapaj kërkon ndërhyrjen e shtetit për të ndihmuar fermerët e dëmtuar.
“Të krijojmë zhdëmtimin e atyre kafshëve që janë dëmtuar kjo është një masë e domosdoshme që të krijohet ajo hapësirë që të pranohen këto lloj urdhrash në të kundërtën herën tjetër do të ketë një efekt moszbatimi./tch/a.k