Lushnja përjetoi se zonin e kaluar një krizë të madhe për sa i përket mbështetjes së tifozëve në stadium. Skuadra u braktis thuajse plotësisht nga sportdashësit, të cilët nuk ishin më shumë se 200-300 të tillë gjatë një ndeshjeje. Mungesa e rezultateve dhe dyshimet për tolerime në takime të ndryshme, duket se kanë sjellë bojkotin e tifozëve.
Lushnjarët njihen për mbështetjen e tyre të zjarrtë që i kanë bërë ekipit ndër vite, në një kohë që zbrazëtia e stadiumit gjatë takimeve të kampionatit të kaluar ishte evident. Ekipi gjatë sezonit që përfundoi doli nga gara për elitën disa javë përpara fundit.
Në një kohë që dy vite më parë nuk arriti të bëhej pjesë e Superiores duke humbur takimin final në fushën e vet me Bylisin.
Specialisti lushnjar, Llazar Dushi në një prononcim enkas për “Panorama Sport” ka deklaruar se nuk është vetëm Lushnja që po kalon një periudhë jo të mirë futbollistike.
Ai i bën një analizë mungesës së tifozëve në “Roza Haxhiu” dhe në stadiumet e tjera në përgjithësi.
Analiza
“Ne konstatojmë te Lushnja mungesën e rezultateve dhe të publikut. Gjithashtu, edhe një gjendje jo të mirë të terreneve sportive. Por, unë mendoj se nuk është vetëm Lushnja që po kalon një periudhë jo të mirë futbollistike.
Mendoj se është e gjithë zona që po kalon një krizë identiteti. Krahina e Myzeqesë, ndoshta dhe pak më gjerë, që nga Kavaja, Elbasani e deri te Fieri.
Ka mungesë rezultatesh dhe të publikut. Është e njëjta gjë. Nuk ka atmosferë dhe duket sikur e gjithë kjo zonë është pa futboll.
Të gjitha stadiumet e këtyre qyteteve janë boshatisur. Por, te Lushnja ka një problem shtesë që është infrastruktura futbollistike, që siç e kemi thënë është jashtë standardeve dhe e bënë të vështirë përgatitjen e ekipit”, u shpreh specialisti Llazar Dushi.
Sipas tij, duhet të rikthehen rezultatet dhe ndeshjet të dhurojnë emocione ku dhe tifozët të rikthehen në stadiume.
“Duhet që ekipi të ketë synime të qarta dhe të arrijë rezultate të mira. Gjithashtu, ka nevojë për ndeshje që të falin emocione dhe tifozët të mbështesin ekipin”, thotë Dushi.
Përgatitjet
Lushnjarët kanë tri javë që përgatiten në stadiumin “Roza Haxhiu”, teksa pritet zyrtarizimi i grupit. Përmes kontratave sezonale, drejtuesit e bashkisë rivendosën bashkëpunimin me ekipin e futbollit.
Te skuadra verdhejeshile janë lojtarët titullarë të edicionit të kaluar. Rikthimi i Branicës dhe afrimi i Maganit janë risitë e deritanishme te skuadra lushnjare. Pas konstituimit të ekipit pritet që përgatitjet të zhvendosen në bregdetin e Divjakës./panorama/a.k