Ministria e Zhvillimit Urban (MZHU) ka nisur diskutimin dhe konsultimin me publikun të draftit të parë të projektligjit “Për Programet Sociale të Strehimit”, me qëllim rritjen e efikasitetit të tij në zbatim.
Sipas këtij pr/ligji, familjet që do të përfitojnë banesa sociale do të përzgjidhen përmes një sistemi pikësh, ku do të merren parasysh një seri elementesh, nga zotërimi apo jo i një shtëpie, kushtet familjare, rreziqet e shembjes, apo numri i fëmijëve.
Sistemi i pikëve parashikon të vlerësojë me më shumë pikë familjet që nuk disponojnë banesë në pronësi; që banojnë në ndërtesa që paraqesin rrezik shembjeje; që banojnë në banesa të mbipopulluara.
Vlersim të lartë me pikë do të marrin dhe familjet që kanë mbetur ose rrezikojnë të mbeten të pastreha, si rezultat i fatkeqësive natyrore ose zbatimit të një vendimi gjyqësor.
Kushte sociale të tjera që parashikon projektligji si përparësi janë edhe për rastet për personat me aftësi të kufizuara; personat me statusin e jetimit, që nga çasti i daljes nga qendrat e përkujdesjes shoqërore e deri në moshën 30 vjeç; emigranti i rikthyer, punëtor emigrant; familjet e policëve të rënë në detyrë; viktimat e dhunës në familje; viktimat e trafikimit; si dhe komuniteti rom.