Në vijim të veprimeve hetimore për aksidentin e ndodhur në orët e para të mengjesit ku humbën jetën 4 shtetas, Policia e Shkodrës ka njoftuar se, në vendin e quajtur Hidrovori në Plazhin Velipojë, ka ndodhur edhe 1 aksident tjetër identik si aksidenti në fjalë në datën 01.05.2016 me pasojë humbjen e jetës se një shtetasi. Për ngjarjen në fjalë, mësohet se është raportuar edhe në autoritete rrugore me qëllim përmirësimin e rrugës me sinjalistikën e duhur.
Nga veprimet hetimore të kryera deri tani rezulton se ky segment rrugor ku ka ndodhur aksidenti, është në ndërtim e sipër dhe në pjesën ku ka dalë mjeti nga rruga, përfundon asfalti, dhe pastaj fillon dhe një kthesë prej 90 grade përgjatë kolektorit të Hidrovorit ku në këtë pjesë rruga është e pashtruar dhe kjo kthesë është e mbushur me materiale inerte, domethënë edhe terreni është i paqëndrushëm.
Nga kqyrja e vendit te ngjarjes rezulton gjithashtu se ky segment rrugor nuk është i pajisur me sinjalistikën e nevojshme rrugore, i pandriçuar, i paasfaltuar dhe i pambrojtur për pjesën më të rrezikshme të kthesës për të njoftuar përdoruesit e rrugës për vijueshmërinë e këtij segmenti.
Dy ditë më parë u njoftua shkarkimi i Drejtorit të Policisë Rrugore, Mit’hat Tola, si një masë parandaluese kjo për shtimin e numrit të aksidenteve (?). Ndërkohë, segmenti që i mori jetën katër shtetasve, mes tyre dy italianëve, duket se ka një përgjegjës konkret për të gjitha mungesat e kushteve teknike, sinjalistikës etj. Një aksident tjetër që si shkak kishte favorizimin e një karburanti i mori jetën para pak kohësh dy vogëlushve në Kavajë. Ministria e Transporteve vijon heshtjen ndërsa për raste të tilla, ministri Edmond Haxhinasto shpreh besimin e tij tek hetimet… Në fakt, rruga e djeshme që vrau katër persona kërkon një sqarim publik për situatën e punimeve në kushte të tilla, aq më tepër gjatë sezonit veror kur lëvizjet shumëfishohen nga turistët, emigrantët dhe pushuesit.