Është një prej presidentëve më karizmatikë të futbollit shqiptar dhe, për më tepër, i suksesshëm. Në katër vite përfaqësim të Kukësit në Kategorinë Superiore, në drejtimin e tij, klubi verilindor ka fituar Kupën e Shqipërisë, ka dalë tri herë nënkampion dhe një herë në vendin e tretë.
Ka rekordin me kalimin e tri tureve në Ligën e Europës, por edhe “namin” se i heq shpesh trajnerët. Safet Gjici ka pranuar në një bisedë ekskluzive për “Panorama Sport” për të rrëfyer gjithçka rreth Kukësit të sezonit 2016-2017. Ai konfirmon largimin e kapitenit Malota, si dhe hedh dritë mbi disa çështje delikate në ekip.
Keni rikthyer Pero Pejiçin te Kukësi. Është kjo goditja më e madhe e klubit në merkato apo priten të tjera afrime?
Besoj se Pejiç është një goditje e madhe e jona në këtë merkato. Ai është një nga sulmuesit më të mirë të huaj që ka luajtur në kampionatin shqiptar dhe këtë e ka treguar me golat që ka shënuar. Megjithatë, do të ketë edhe të tjera afrime. Presim dy lojtarë të tjerë që të bëjnë diferencën, me qëllim që Kukësi të blindohet në çdo repart. Synimi ynë është që të jemi në garë të parët për titullin.
Sa kohë iu deshën për të arritur marrëveshjen me sulmuesin kroat?
Operacionin për Pejiçin e kam udhëhequr vetë. Pra, jam marr personalisht me të dhe kam biseduar në mënyrë direkte, pa asnjë lloj kontakti nëpërmjet menaxherëve. Sapo Pero u largua nga klubi i Esteghalit në Iran, ne hymë në bisedime, duke pasur konsideratë të ndërsjelltë. Jam i kënaqur që mundëm edhe konkurrencën me disa ekipe të tjera, që i kishin bërë ofertë sulmuesit. Ka edhe diçka, e vërteta me Pejiçin është që unë e kam lënë të lirë të shkonte në Iran.
Pse, ku qëndronte problemi?
Pero u tregua burrë një vit më parë. Unë i kisha premtuar se, nëse Kukësi do të kualifikohej për në turin e tretë të Ligës së Europës, atëherë do ta lija të lirë të shkonte në Iran, duke i dhënë letrat pa asnjë dëmshpërblim nga kontrata. Ai ishte në pronësi të Kukësit dhe nga kontrata që ai kishte në Iran prej 240 mijë dollarësh në vit, unë mund t’i kërkoja 100 mijë dollarë. Mirëpo, nuk e bëra këtë, sepse ishte një marrëveshje burrash që ai duhet ta vlerësonte dhe ashtu bëri. Ka qenë një dashuri midis tij dhe klubit, por pa anashkaluar edhe pjesën financiare.
Ju nuk keni folur kurrë me shifra për lojtarët. Sa do të paguhet Pejiç?
Kontrata me të është 40 mijë euro, por ka edhe bonuse të përfshira.
I druheni faktit që Pejiç vjen nga një sezon jo i mirë në Iran dhe, për më tepër, po shkon 34 vjeç?
Është e vërtetë që nuk ka luajtur shumë tek ish-skuadra e tij, por ama sa herë që është futur në fushë ka shënuar. Kjo do të thotë që ai nuk e ka humbur instinktin e golit. Mos harroni që ka luajtur në një prej skuadrave më të mira të të gjithë Azisë, pra jo vetëm të Iranit. Esteghali është një klub me emër të madh dhe dihet rivaliteti që mund të ketë pasur sa u përket sulmuesve. Unë mendoj se me profesionalizmin që e karakterizon si lojtar, forcën fizike dhe nuhatjen që ka, ai do shpërthejë sërish me Kukësin në Superiore.
Atëherë, sa gola prisni?
Pres të paktën të shkojë 80 ose 90 për qind të sasisë së golave që shënoi në sezonin 2014-2015 me Kukësin.
Tashmë janë bërë 5 sulmues në ekip, kush do të largohet?
OK, janë pesë sulmues, por unë dua që Kukësi të ketë një 18-she lojtarësh perfektë. Gjithashtu, dua të kemi dy skuadra, pra dy 11-she mjaft të mira. Trajneri Gjoka të ketë mundësi të zgjedhë, me qëllim që Kukësi të arrijë objektivat. Nuk do të largojmë asnjë prej tyre, por gjithsesi njërin edhe mund ta japim në formë huazimi.
Si është e vërteta me kapitenin Malota, a mund ta quajmë përfundimisht të larguar nga Kukësi?
E vërteta është se Malotën unë e kam takuar para 3-4 ditësh, duke i bërë ofertën për rinovimin e kontratës, por ai nuk e ka pranuar. E falënderoj për kontributin që ka dhënë te Kukësi në këto katër vite.
Flitet se trajneri Gjoka dhe drejtori Dervishi nuk e kishin në plane Malotën. Mos ndoshta ky fakt ju ka stepur që të mos insistoni për ta mbajtur?
Unë kam marr një trajner, të cilit i kam besuar merkaton, madje të zgjedhë edhe stafin e tij. Kështu që Gjoka është ai që vendos kush lojtar i duhet dhe kush jo. Pastaj, unë i kërkoj atij llogari në fund. Më kërkoi Pejiçin, u sforcova dhe ia solla. Do të marrim dhe dy lojtarë që trajneri i do që t’i ketë në skuadër, kështu që unë jam i detyruar që t’ia sjell. Si president dua titullin, kështu që llogaritë unë i kam në fund me të, për objektivin madhor që kemi.
Po me Gledi Micin çfarë do të bëhet, flitet se lojtari është larguar dhe do ta padisë klubin për kontratë të pavlefshme?
Mici ka kontratë me Kukësin. Ai ka qenë dhe është në planet e trajnerit.
Na tregoni, pse e larguat Floresin, një idhull për tifozërinë e Kukësit?
Floresin nuk e larguam. Ai ka qenë një nga lojtarët tanë më cilësorë, i cili ka bërë mirë me Kukësin, por për fat të keq u dëmtua. Në momentin kur u dëmtua, unë dhe klubi i ofruam të gjithë ndihmën tonë, për operacionin dhe fizioterapinë. Ai na kërkoi që t’i bënte në Brazil këto, pasi në Shqipëri dihet që nuk ka infrastrukturë dhe mjek të mirëfilltë që të bëjnë të tilla ndërhyrje. Bëmë një marrëveshje me shkrim, që ai do t’i bënte këto në Brazil dhe për gjashtë muaj do kthehej. I kam dhënë 15 mijë dollarë që ai të kryente operacionin dhe fizioterapinë për gjashtë muaj. Mirëpo, ai u kthye në ekip pas dy muajve, por detyrimisht nuk është i gatshëm që të luajë. Ai ka ikur në Brazil dhe tashmë në fushë mund të rikthehet pas 4-5 muajve. Sipas marrëveshjes që kemi bërë, ai mund të vijë prapë te Kukësi, gjithnjë nëse ka dëshirë.
Po çështja me brazilianin tjetër, Filipe Moreira, si qëndron?
Edhe ky lojtar, ashtu si Floresi, u dëmtua. Klubi i pagoi gjithë shpenzimet, operacionin, fizioterapinë, medikamentet dhe çdo gjë dëmtimi u rikthye, por nuk ka luajtur asnjë ndeshje. Prapë klubi e ka mbajtur me rroga. E kemi paguar për të gjithë kohën, por kur ekipi u grumbullua, ai ka ikur pa leje në Brazil. Ka thyer rregulloren e klubit dhe disiplinën, kështu që, për këtë, do të marrë një gjobë të rëndë. Masa i është transmetuar nga personat kompetentë në skuadër, madje ka shkuar edhe në FSHF.
Nuk do të rikthehet më në skuadër?
Tani na kërkon që t’i presim biletë ardhje nga Brazili. Është një fakt që lojtarët brazilianë kanë dëshirë t’i thyejnë rregullat, por te Kukësi ka vërtet disiplinë dhe këto janë nëpërmjet shkresave, jo fjalëve. Kukësi e ka paguar këtë dhe gjithë lojtarët, sipas rregullores dhe kontratave. Jemi nga të vetmit klube që respektojmë në mënyrë rigoroze rregulloren.
Të kalojmë te një çështje delikate. Pse kaq ndryshime trajnerësh te Kukësi, shumë specialistë futbolli ju kanë kritikuar për këtë…?
Sa për trajnerët, unë mundohem që t’ua plotësoj të gjitha dëshirat në aspektin teknik. Pra, po bëj gjithçka për të sjellë lojtarët më cilësorë të mundshëm, për aq mundësi sa ka në Shqipëri. Kukësi është mbajtur për prurje shumë të mira, pasi kjo është e vërtetuar për kaq vite sa ne militojmë në Superiore, duke pasur ajkën e lojtarëve në vend. Në rastin e trajnerit Lika, i cili ishte i fundit që kishim, më duhet të them se nuk arriti objektivat dhe u largua. Tek ai shkarkohet përgjegjësia, ashtu si dhe në raste fitoresh, merr meritat. Në rastin e kalimit të turit të parë, meritë mori trajneri dhe skuadra, ashtu siç merren dhe përgjegjësitë. Kaluam në turin e dytë, por edhe pse përballë kishim Austrisë e Vjenës dhe u eliminuam, në ndeshjen e dytë humbëm thellë, gjë që kurrsesi nuk pritej. Në këtë rast, faji është i përbashkët, por në radhë të parë i trajnerit. Lika më kërkoi disa lojtarë që ne i huazuam nga Skënderbeu. Ishin zgjedhjet e tij dhe unë ia plotësova, por dështoi dhe mbajti përgjegjësi.
Për huazimet nga Skënderbeu dhe largimin e Likës ju ka kritikuar edhe ish-drejtori Sulejman Starova…
Starova nuk ka kritikuar mua personalisht, por mikun dhe kolegun e tij Hasan Lika. Siç jua thashë, lojtarët janë kërkuar nga trajneri dhe unë vetëm kam plotësuar dëshirën e tij. Ne kemi kaluar turin e parë me forcat tona, me boshtin tonë, ndërsa në të dytin lindi nevoja për përforcime. Lika kërkoi lojtarët që ne huazuam dhe unë i plotësova kërkesën. Sa për Starovën, mos harroni që edhe ai ka huazuar më parë kur ka qenë te Kukësi, por kjo nuk do të thotë ndonjë gjë. Ndërsa, për largimin e trajnerit, ai e di që çdo trajner, kur gabon dhe nuk arrin objektivat, largohet. Kjo është krejt normale, por Starova është mirë të merret me punët e tij, me skuadrën e tij, me stafin e tij, jo me punët e Kukësit.
OK, por Partizani ku Starova bën pjesë, është në turin e tretë të Champions-it…
Partizanit i ra fati që shkoi në Champions. Shumë mirë, por që të shikojë punët e veta, pasi nuk i takon të jetë në Champions. Partizani nuk ka dalë kampion. Gjithsesi, unë i uroj Partizanit të ecë sa më mirë, pasi është në të mirë të futbollit shqiptar, por në krahasim me ne, nëse nuk do të ishte në Champions, s’do ta kalonte dot turin e parë të Ligës së Europës. Kukësi i kalon çdo vit turet, shkon aty me forcat e veta dhe nuk i zë vendin dikujt tjetër. Kështu që është e mira që secili të shikojë dhe të merret me punët e veta.
Skënderbeu u dënua për manipulime ndeshjesh nga UEFA. E prisnit këtë pezullim, keni ndonjë koment?
Nuk dua të merrem me këtë çështje, pasi nuk më takon mua të gjykoj dënimin, por organeve kompetente.
Nëse do ta mbyllnit të dytët sezonin e kaluar, do të kërkonit titullin kampion në tavolinë, ashtu siç po bën Partizani?
Edhe nëse do të ishte kështu, kur unë nuk kam dalë kampion në fushë, nuk kam pse të kërkoja të isha në eliminatoret e Champions-it. Unë jam krenar që Kukësi shkon në Europë me meritë dhe ecën me forcat e tij dhe ndershëm. Pra, jemi aty me vendin tonë, jo të dikujt tjetër.
Së fundmi, a mendoni se do të mposhtni rivalitetin me ekipe si Skënderbeu, Partizani etj., duke fituar titullin në sezonin e ri?
Unë i kam plotësuar dhe i kam dhënë hapësirat e nevojshme trajnerit Gjoka që të marrë cilin lojtar të dëshirojë në skuadër. Nuk i përzihem fare në punën e tij, por unë dua të shikoj vetëm përkushtim dhe fitore. Unë i bëj llogaritë në fund me stafin që i kam besuar gjithçka për të arritur te titulli. Unë shpresoj ta arrijmë dhe, me shumë punë, besoj se do ta arrijmë. Jam i vendosur që këtë vit të luftojmë dhe të fitojmë titullin, ndaj po bëj gjithçka./panorama/a.k