Një furtunë e vërtetë shkarkimesh ka përfshirë burgun e Shënkollit, tre ditë pasi i dënuari Flamur Sula humbi jetën në rrethana që janë ende nën hetim nga Prokuroria e Lezhës.
10 efektivë të Policisë së Burgjeve janë shkarkuar me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Miklovan Kopani, i cili gjatë ditës zhvilloi për këtë çështje një takim me ministrin e Drejtësisë. Po ashtu, është shkarkuar nga detyra edhe shefja e Sektorit të Çështjeve Sociale, ndërkohë që shefi i Policisë së Burgut Shënkoll u transferua në një burg tjetër.
20 punonjës të tjerë të këtij burgu, mes tyre edhe drejtori Gjergj Prendi, morën masën e paralajmërimit për shkarkim nga detyra, masa këto që i njoftuan gjatë ditës edhe ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili kërkoi procedim dispiplinor ndaj punonjësve të këtij burgu. Për shkak se djegia e të dënuarit Flamur Sulaj ndodhi nga një bombël e vogël gazi ndërkohë që në qeli secili nga të dënuarit kishte nga një të tillë, ministri i Drejtësisë kërkoi gjithashtu rishikim të rregullores që u lejon të dënuarve mbajtjen e sendeve të tilla.
Prokuroria e Lezhës po pyet të dënuarit që kanë qenë dëshmitarë në ngjarje për të saktësuar nëse bëhej fjalë për vetëvrasje apo për një zjarrrënie aksidentale.
Për këtë arsye janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë brenda korridoreve të burgut Shënkoll. /tch