Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan paralajmëroi reforma rrënjësore të strukturave ushtarake si edhe një strukturë të re të komandës kryesore ushtarake në Turqi, njoftoi agjencia zyrtare turke e lajmeve, Anadolu Agency (AA).
Në një intervistë për median lokale, Erdogan theksoi se për shkollimin e personelit ushtarak do të angazhohet Universiteti i Mbrojtjes Kombëtare, ndërsa në krye të komandës së forcave të armatosura do të jetë ministri i Mbrojtjes Kombëtare.
“Të gjitha urdhërat e forcave të armatosura, tokësore, marinës dhe forcave ajrore do të jenë nën kompetencat e ministrit të Mbrojtjes Kombëtare, jo të ministrisë, por drejtpërdrejt të ministrit. Përveç kësaj, në varësi të negociatave me opozitën, në qoftë se pranohet pakoja e ndryshimeve, planifikojmë që shefin e Shtabit të Përgjithshëm dhe atë të Shërbimit Kombëtar Sekret (MIT) ta vendosim drejtpërdrejtë nën kompetencat e presidentit”, theksoi Erdogan.
Erdogan njoftoi heqjen e shkollave të deritanishme ushtarake dhe paralajmëroi formimin e një institucioni ombrellë, Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare, që do të mbledhë të gjitha degët e shkollave ushtarake dhe që do të jenë në nivel fakulteti.
“Shkollat ushtarake do të mbyllen. Paralelisht me mbylljen e shkollave ushtarake, do të hapen mundësitë për të gjithë nxënësit e shkollave të mesme dhe shkollave profesionale, që të regjistrohen në Akademinë Ushtarake. Do të krijohet Universiteti i Mbrojtjes Kombëtare, ku do të jenë shkollat e forcave tokësore, detare dhe ajrore”, tha presidenti turk.
Erdogan gjithashtu shtoi se do të bëhen disa ndryshime në shkollimin e policisë ushtarake.
“Do të formohet akademia për policinë ushtarake. Kjo akademi do të jetë një qendër që do të prodhojë kuadro serioze”, tha ai.