Ish-lojtari i futbollit amerikan Antonio Armstrong dhe bashkëshortja e tij janë vrarë në gjumë nga djali i tyre 16-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur në Houston (Texas), në mesnatën mes të shtunës dhe të dielës.
Medit amerikane bën të ditur se 16-vjeçari ka njoftuar vetë autoritetet për kryerjen e krimit dhe e ka pritur policinë në shtëpi.
Momentalisht mbeten ende të paqarta shkaqet që e shtynë të riun të vriste prindërit me pistoletë. Në momentin e ngjarjes, në banesë ndodheshin edhe dy fëmijët e tjerë të çiftit, djali tjetër 20-vjeçar dhe vajza 12 vjeç.
Antonio Armstrong ka qenë një ndër lojtarët më të mirë të futbollit amerikan gjatë kohës që studionte në universitet, kur luante për Texas A&M. Në vitet ’90 ai luajti me San Francisco 49ers dhe më pas me Miami Dolphins dhe St. Louis Rams. Pasi u tërhoq nga futbolli kishte hapur një palestër shumë të frekuentuar.
“Familja e Antonio Armstrong ishte e përkryer. Nuk e kuptoj çfarë ka ndodhur në kokën e atij djaloshi”, është shprehur një fqinj i familjes.