Nënkryetari demokrat i Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi, Oerd Bylykbashi, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” shprehu dje shqetësimin për mungesën e transparencës nga ana e mazhorancës lidhur me vijimësinë e procesit e reformës. Sipas tij të pretendosh që Parlamenti mund të miratojë 7 ligjet pa hyrë në fuqi amendamentet kushtetuese me datë 11 gusht, është një gafë dhe një provokim politik. Bylykbashi thotë për “GSH” se nuk do të ketë mbledhje të parlamentit me datën 11 gusht pasi sipas tij edhe këtë e ndalon Kushtetuta. Ai garanton se opozita është e gatshme për konsensus, vullnet pozitiv dhe respekt ndaj kushtetutes ndaj dhe saktëson se qëndrimi i opozitës është i prerë se miratimi i 7 ligjeve do të kalojë vetëm pasi Kushtetuta e re të marr fuqi. Në intervistën për “GSH” Bylykbashi sqaron edhe arsyet e mungesës së pjesëmarrjes së opozitës në ceremoninë e organizuar në Pallatin e Brigadave për kontribuesit e reformës në drejtësi.
Z.Bylykbashi pse refuzuat të merrnit pjesë në ceremoninë e organizuar nga kreu i Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj?
M’u duk sikur pashë një krehje narciziste në pasqyrë. E kam shprehur edhe më herët qëndrimin tonë në lidhje më atë ceremoni. Së pari, është më shumë se për të ardhur keq kur mendon se ç’proces ka qenë ai që u përmbyll në orët e para të datës 22 korrik. Një reformë kushtetuese, qoftë edhe për drejtësinë duhet të ketë themel, kolonë mbajtëse dhe çati të saj vetëm konsensusin vullnetmirë dhe të bazuar në principe e standarte. E çfarë qe procesi që bënë kryeministri dhe të mandatuarit e tij? Arrogancë, sulme denigruese, konflikt, manovra tinzare e bizantine vetëm me një qëllim: përpjekje për të kapur sistemin e drejtësisë dhe për ta vënë nën kontroll politik e personal dhe për ta përdorur reformën si kartë elektorale. E ç’mund t’i festosh këtij procesi të turpshëm? Nëse kontribuon në atë lloj procesi s’mund ta kesh kokën lart, sepse ke kontribuar në hedhjen e themeleve të një krize politike dhe kushtetuese afatgjatë. E nëse e ke udhëhequr qëllimisht reformën në këtë hulli antikonsensusi dhe konflikti dhe e quan veten reformator, të qeshin brezat që vijnë.
Të jemi të qartë, nëse nuk do të kishte qenë për insistimin e opozitës me vërejtje, propozime, një draft kushtetues konkret e funksional, dy opinionet e Komisionit të Venecias që i dhanë të drejtë opozitës dhe propozimeve Nuland-Hahn që mbështetën plotësisht qëndrimin e opozitës për rekomandimin 88, ku Nuland na dha të drejtë për formulën e emërimit të katër institucioneve dhe Komisioneri Hahn mbështeti qëndrimin se ndërkombëtarët kanë vetëm rol rekomandues, sot parlamenti do të kishte miratuar me 94 vota të trafikuara pikërisht atë draftin e shtatorit 2015 që garantonte kapjen e sistemit nga kryeministri.
Gjithsesi ju e kishit ftesën si kontribues i reformës në drejtësi dhe mund të ishin në ceremoninë e organizuar në Pallatin e Brigadave?
Së pari, është koha për punë dhe jo për festime shfaqjesh ku celebrohet konflikti. Kryeministri dhe kryetari i komisionit edhe një herë të vetme nuk u përmbajtën dot pa sulmuar opozitën. Qartazi u ka djegur shumë që opozita i arriti objektivat e saj të bazuar tek principet dhe standartet e Komisionit të Venecias. Dhe kjo do të thotë që iu shkërrmoqën planet e kapjes së drejtësisë. Ne edhe atë ditë ishim plotësisht të impenjuar për të kontribuar në përmirësimin e projektligjit të “vetting”-ut. Ka ende shumë punë deri tek festimet. Vetëm konsensusi na e shkurton kohën. Nëse kryeministri vazhdon sç e ka bërë deri më sot, me konflikt, vetëm reformë në drejtësi nuk do kenë shqiptarët. Dhe shqiptarët kanë nevojë jo vetëm për një drejtësi të vërtetë, por duan të diskutohet edhe për ekonominë që ka rënë në gropë, taksat e shtuara, papunësinë skandaloze, krimin që kontrollon jetën e tyre dhe drogën që ka mbuluar Shqipërinë dhe po na nxin faqen në botë. Edi Rama po përpiqet t’i mbulojë këto me zallamahinë e tij për reformën në drejtësi që siç thotë, as që e ka lexuar një herë të vetme.
Pavarësishtë kësaj a është opozita e gatshme të kontribuojë për vijimësinë e konsensusit tani që kërkohet miratimi i 7 ligjeve të kësaj reforme?
Opozita është e gatshme të kontribuojë me konsensus që tani. Madje të gatshëm të mbledhim Komisionin që ditën e hënë. Ekspertët e saj po punojnë me intensitet mbi draftin që kryetari i Komisionit shpërndau në ora 22:20 të datës 26 korrik, ndërkohë pretendonte të bënte mbledhje të nesërmen. Imagjinoni ç’transparence ka ky proces, transparencën e errësirës, të faktit të kryer dhe afateve ultimative. Nëse ky ligj do të diskutohet, përmirësohet dhe miratohet me konsensus, i shtron rrugën edhe ligjeve të tjera në të njëjtën mënyrë. Nëse jo, do të jetë këmbanë alarmi për pjesën tjetër të reformës.
A po zhvillohen negociatat mes palëve?
Ditën e hënë do të shohim prirjen e mazhorancës. Duan negociim dhe konsensus apo konflikt. Ne jemi të gatshëm vetëm për vullnet të mirë, kontribut konstruktiv dhe konsensus. Ato batuta bajate dhe folklorike si 1 milion votat, u ka rënë varaku, kallaji dhe janë bërë bajate. Shpejt do e kuptojnë sa vota do u rezervojnë shqiptarët, që të papunë e nën taksa e polici mbytëse, duhet të zgjedhin midis kanabisit dhe emigrimit.
Ç’po ndodh me ligjin për “vetting”-un ndërkohë që parlamenti pritet të mblidhet më datën 11 gusht?
Opozita po punon për të përmbyllur ligjin e “vetting”-ut. Por të pretendosh qe Parlamenti mund të miratojë ligjin këtë javë pa hyrë në fuqi amendamentet kushtetuese më datë 11 gusht, ishte vërtet një gafë për t’u shkulur gazit. Edhe ndërkombëtarët i lanë në baltë sepse pranuan që nuk mund të bëhej pa hyrë në fuqi ndryshimet kushtetuese. Pra është provokim politik për konsum mediatik por me një çmim shumë të lirë.
Kur do të kalojnë 7 ligjet? Cili është qëndrimi i opozitës në këtë rast?
Qëndrimi i opozitës është i prerë se miratimi i 7 ligjeve do të kalojë vetëm pasi Kushtetuta e re të marr fuqi. Këto ligje nuk mund të kalojnë më parë sepse e ndalon Kushtetua e vendit. Do të ishte absurde që të mbështetet nisja e procesit të reformës në drejtësi duke shkelur Kushtetutën. Por PD-ja ka shprehur gadishmërinë për të punuar me ekspertët në mënyrë që të mos ketë asnjë vonesë në miratimin e ligjit. Opozita është e gatshme në këto ditë vere të nxehtë për të kontribuar me ekspertizën më të mirë, me sugjerimet më të mira për të përfunduar procesin e reformës në drejtësi. E rëndësishme është që mazhoranca të mos bëjë lojra përsëri për t’iu shmangur këtij detyrimi për të punuar me konsensus dhe të mos punojë me hile, por të punojë me transparencë dhe vullnet për t’i dhënë shqiptarëve ligje të miratuara me konsensus. Një gjë është e qartë, respektimi i procedurave dhe afateve kushtetuese është themelor që procesi të ketë legjitimitet dhe të shmangim që ligjet të goditen më pas në Gjykatë Kushtetuese apo në Gjykatën e Strasburgut nga personat që do të preken nga ky “vetting”-u administrativ që të korruptuarin e çon vetëm në shtëpi dhe jo në burg.
Dhe kur merr fuqi Kushtetuta?
Kushtetua ka një afat limit dhe parlamenti nuk mund të mblidhet përpara datës 11 gusht. Gjatë kësaj kohe dhe deri më datën 4 shtator, parlamenti mund të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme por jo më datën 11 gusht. Pas botimit në fletoren zyrtare më datë 27 korrik të ndryshimeve kushtetuese, ato duhet të kalojnë 15 ditë që ato të hyjnë në fuqi. Më herët, nuk mund të paraqiten në Kuvend e të shqyrtohen ligje që nuk kanë bazë kushteteuse. Ndaj duhet kohë për të shqyrtuar 7 ligjet dhe opozita do të vazhdojë të respektojë Kushtetutën por e angazhuar plotësisht. Të mos harrojmë, kemi një reformë zgjedhore që qëllimisht, me pretekstin e reformës në drejtësi, mazhoranca e ka bllokuar krejtësisht. E bllokoi pas 2013 dhe po e bllokon edhe pas 2015. Nëse zgjedhjet dhe standartet e tyre do të shkatërrohen, këto debatet për reformën në drejtësi do të na duken si debate teorike përpara krizës politike që do të vijojë.
GSH/BW/d.i.