Nga Anri Bala
Shumë debate… shfryrje… sharje… e përse, për një copë rrugë?! Apo… se qeveria po na e “fut” përsëri?! E pastaj, sikur është hera e parë, madje nuk ka as mundësin më të vogël të jetë hera e fundit. Jo se do qeveria, por nuk ka kujt t’i a fusi tjetër përveç popullit të saj. Ndaj me thënë të drejtën nuk u mërzita shumë.
Ama, një merak e kisha: Nuk do t’i a falja vetes kurrë, nëse s’do të kaloja njëherë të vetme në Rrugën e Kombit, pa pagesë! Ndoshta për të shuar sadopak dhe kureshtjen, vendosa së bashku me një kolegun tim, të bëja një xhiro deri në kryeqytetin e dytë të shqiptarëve, Prishtinën.
Një miliard dollarë vetëm për 61 km rrugë?!
Nuk të duhet të jesh matematicien dhe me një llogari fare të thjeshtë, gjëja e parë që të shkon ndërmend është se: Rruga do jetë e shtruar me lira floriri!
Rrugës më kapi mërzitja, sepse mu duk sikur autostrada e florinjtë nuk po shfaqej gjëkundi dhe me që po udhëtoja për herë të parë, i’u drejtova kolegut:
– “Ore, e di rrugën ti, apo jemi futur gabim?”
– Ai më pa i çuditur dhe mu përgjigj: “Edhe të duash ti, nuk ka rrugë tjetër, ndaj mos u merakos. Edhe pak mbërrijmë tek tuneli i famshëm i Kalimashit.
A të kujtohet ai tuneli që u inagurua pa mbaruar ende nga Berisha dhe vëllai Erdogan dhe që na kushtoi dy hidrocentralet e Lumit Mat?”
– “Shoku, nuk më kujtohet asgjë mua, të shkuara të harruara, po autostrada ku është, mbas tunelit?!”, e pyeta unë.
Në këtë kohë e preva bisedën, pasi sapo kishim hyrë në tunel. Tuneli ishte marshallah, për të mos e hëngër mësysh. Tani jo shumë prefekt, se ishte shembur nja dy tre herë dhe kishte disa mballoma… por prap mirë!
Kur dolëm jashtë, një pamje më gri dhe aspak komode. Pra, unë kisha udhëtuar në “Rrugën e Florinjtë” dhe nuk kisha parë asgjë! A thua isha i vërbër apo i marrë?! Dreqi ta haj nuk jam i tillë, bile jam pak i shëtitur dhe kam parë disa autostrada, por këtu nuk më zuri syri gjëkundi ndonjë “autostradë”.
Fillova të shikoja me vëmendje rrugën, për të bindur veten se jam i gabuar, por papritur m’u shfaq si fantazëm tek xhami i makinës koka e një lope. Për pak desh më “puthi” në faqe, brenda në gabinë. U tremba dhe devijova timonin nga korsia e emergjencës, por rashë në një kanal. Aty frenova dhe u futa përsëri në rrugë. Desh mora veten dhe kolegun në qafë, duke menduar se isha në autostradë!
Shihja përpara në kërkim të korsisë së emergjencës, ose të ndonjë sheshpushimi për të ndaluar, që të qetësohesha pak, por nuk po më zinte syri asgjëkundi ndonjë gjë të tillë! Në anë të rrugës, korsia e emergjencës ishte një vrag që fillonte nga 20 cm deri në 60 cm dhe ngushtohej e zgjerohej sipas dëshirës së ndërtuesit ose sipas kthesave të rrugës. Ajo nuk ekzistonte, por thjesht ishte imagjinare!
Imagjinata e hajdutëve kishte arritur deri aty…. sa të vidhnin edhe me parametrat e tabelave. Sinjalistikë e turpshme me tabela mikroskopike, e pa asnjë lidhje me rregullat sinjalizuese të një superstrade. Tabela Fan dhe Thirr, sikur të ishin sinjalizime të mbërrijtes në New York. Kurse tabelat që sinjalizonin afrimin e qytetit të radhës, si tabela fshatrash me 10 banorë. Të shtrëmbëruara dhe të rrënuara aty këtu, ishin në unison të plotë me ndotjen anësore dhe barrierat e shkalavitura mbrojtëse.
Asnjë mbikalim që lidhte rrugën me fshatrat në anë të saj, ndaj fshatarët e kishin gjetur zgjidhjen thjesht: Hiq ndarset e hekurit dhe shiti për skrap! Në këtë mynyrë edhe fiton edhe rrugën e liron…!
Duke kaluar në kokë gjithë këto pamje të “mrekullueshme”, përpak sa nuk rashë nga një greminë urë. Frenova fort dhe ç’të shoh, ura nuk ekzistonte. Fat i madh që ishte ditë, sepse kush e di ku do ishim gremisur?! Mblodha veten dhe devijova makinën për t’u futur në urën e vetme të rrugës, duke lënë mbrapa tufat e luleve të vendosur mi betonin “mbrojtës”. Tani i thashë vetes, kujdes!
Deri në Morinë të gjitha urat paralele mungonin. Ngadalë filloi të bjerë errësira. Dy anët e autostradës pranë portës hyrëse të Shqipërisë ishin të zhytura në një errësirë totale dhe të mbushura me plehra. Ndaj thashë të ndaloj, se mu duk sikur kisha para një WC të pistë. Dola jashtë bashkë me shokun dhe ulurita: Të pshurrsha autostradën! Tashmë autostradën e shurruam dhe e lamë pas.
Para, drejt Prishtinës, autostrada kosovare, e ndriçuar, e pastër, moderne me parametra bashkëkohore. Gjithçka prefekte, që nga korsia e emergjencës, e deri tek detajet më të vogla të sinjalistikës.
Më erdhi për të qarë nga tallja që na ishte bërë. Si ishte e mundur, e njëjta tokë e i njëjti komb, e njëjta firmë, e të njëjtat para dhe dy rrugë të ndryshme?! Por mundësia ishte e madhe… për të vjedhur të babziturit. Duke bërë një llogari të vogël, vetëm për parametrat e munguara të rrugës, 250 milionë dollarë të vjedhura janë një shaka.
“Becktel Enka”, ka marrë 1 miliard dollarë pa bërë asgjë, veçse një shteg dhishë në majë të malit. Tani këtë shteg dhishë do ta ripaguajmë si autostradë. Do paguajmë për diçka që kemi paguar njëherë qimet e kokës dhe që emrin e ka “autorrenë”.
Kjo është poshtërsia e radhës: Futja e duarve në xhepat e qytetarëve për t’i vjedhur dhe tallur me auostradën “rrenë”. Ne besuam se e larguam qeverinë e “koncesionomanisë”, por paskemi gënjyer veten.
Asgjë nuk kemi bërë, vetëm se i zgjatëm bishtin qeverisë së kaluar. Janë po ata të koncensioneve me petroliferën, me aeroportin, me skanimet, me ngjyrosjen e naftës, që nuk kanë asnjë ndryshim me këta, të chekup-it, të homodializës e të autostradës!
Janë po ata: “Në pushtet përgjithmonë LSI!” Ndërsa kryeministri, as që do t’ia dijë, se përse është aty?! Për t’u bërë bashkëpuntorë në krim, apo për diçka ndryshe?!
Megjithatë nuk i vemë faj, karrigia nuk lëshohet lehtë. Më mirë ai karrigen, se sa ne të drejtën që na takon. Na kanë gjetur ne delet, që nuk meremi me hallet tona, por mërzitemi se na qënka përgjuar ky apo ai politikan qesharak.
Bile më shumë mërzitemi se një bankë private paska humbur ca dollarë nga ata që i’ua grabisin me mashtrime shqiptarëve çdo ditë. Lëre pastaj kur shqetësohemi se si e do “palloshin” Kallashi dhe sa marrin për një natë seksi, të vetshpallurit VIP-a.
E kur ne merremi me këto preversitete, tinzarët qeverisës, sapo na e kanë futur “pincetën” në xhep, duke na i vjedhur edhe qindarkat metalike. Ka ardhur koha t’i lëmë peticionet, se nuk jemi komb memec.
Zotërinjëve hajdut, duhet t’u kërkojmë autostradën që kemi paguar, përndryshe duhet t’i “gremisim” në urat pa këmbë, të autostradës “rrenë”.
Miratimi I Reformes duhet te hape gjygjet per grabitjen e parave publike qe.nga hyrja ne demokrature deri sot ndryshe ky vend nuk behet me