Çdo maturant që dëshiron të fitojë të drejtën e studimit në institucionet e arsimit të lartë publik e privat, duhet të plotësojë formularin e aplikimit duke nisur nga data 1 gusht. Për të gjithë ata që ende kanë paqartësi, Agjencia Kombëtare e Provimeve ka publikuar udhëzuesin teknik që detajon hap pas hapi procesin e plotësimit.
Më parë, ata duhet të kenë bërë pagesën e tarifës prej 2 mijë lekësh që dorëzohet në shkollë e siguron hedhjen e notës mesatare në sistem. Kjo i bën ata pjesë të garës në universitete.
UDHËZIMI
Në çdo mjedis ku ka internet, shkollë, zyrë, kafe apo kudo tjetër, aplikantit i duhet të futet në portalin e maturës shtetërore në faqen zyrtare të AKP-së. Një dritare dialoguese informon për çdo hap të kryer e për atë pasues. Fillimisht maturanti duhet të fusë të gjitha kredencialet e veta për të loguar në sistem. Në këtë pikë duhet bërë mjaft kujdes. Çdo e dhënë duhet të jetë e saktë, pasi do të shërbejnë për të bërë verifikime të mëtejshme. Udhëzimi parashikon një zgjidhje alternative për kandidatët që nuk identifikohen dot në sistem përmes të dhënave të paraqitura.
“Nëse të dhënat tuaja nuk janë të sakta, do të shfaqet mesazhi ‘Maturanti nuk përkon me kartën e identitetit’. Nëse ju shfaqet përsëri i njëjti mesazh, kjo do të thotë se për të bërë aplikimin online, duhet të paraqiteni detyrimisht pranë Drejtorisë/Zyrës arsimore të rrethit tuaj me dokumentin tuaj personal të identifikimit për të kryer aplikimin nën kujdesin e përfaqësuesit të drejtorisë”, përcaktohet në udhëzimin teknik. Nëse procesi shkon siç duhet, në dritaren e kompjuterit shfaqet formulari i aplikimit.
Nëse maturanti nuk ka kryer pagesën e formularit, tabela në ekran do të tregojë: “Ju nuk keni notë mesatare”. Në këto kushte, për të vijuar garën, kandidati duhet të dorëzojë brenda afateve të aplikimit mandat-pagesën në shkollë. Nëse një gjë e tillë është bërë më herët, maturanti vijon procesin e plotësimit të formularit. Një tabelë e madhe me kredencialet, si dhe rezultatet e maturantit në fillim të saj ndiqet nga 442 programet e studimit që ai mund të zgjedhë, në rast se mesatarja e tij është mbi notën 6.
Në të kundërt, tabela e mëposhtme do të ketë vetëm ato pak programe të karakterit profesional 2-vjeçar: Menaxhim veterinar në Universitetin Bujqësor, Teknik laboratori në universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” dhe dhjetë degë në universitetin e Durrësit “Aleksandër Moisiu”. Për të bërë zgjedhjet e tij, aplikanti duhet të klikojë mbi butonin “përzgjidh programin” që shfaqet përkrah degës që dëshiron.
Preferencat, AKP: Mund të rirenditen
Çfarë ndodh nëse kandidati ka përzgjedhur të dhjeta degët në universitetet publike e private dhe ndërron mendje në momentin e fundit?! “Sistemi informatik nuk të lejon që të përzgjidhen më shumë se 10 preferenca, por lejon që të fshihet ndonjëra prej tyre, si dhe të rirenditen ato.
Nëse duhet të heqim një program studimi, mjafton të klikojmë te butoni “hiqe”, ndërsa për t’i rirenditur në kutizat anësore, duhet të shtypim renditjen e re të propozuar dhe më pas klikojmë mbi butonin poshtë “ruaj renditjen”, sqaron udhëzimi. Edhe në këtë pikë duhet pasur kujdes, pasi gjatë vendosjes së renditjes së re nuk duhet të kemi përsëritje numrash.
Vetëm pasi kandidati të ketë bërë përzgjedhjen e duhur, të rimenduar, pasi është vendimtare për të, në fund të faqes ka një buton “dërgo formularin”. Kjo e bën atë automatikisht garues për në shkollë të lartë. Një dritare tjetër dialoguese i jep mundësinë maturantit të bëjë konvertimin e formularit në formatin PDF dhe printimin e tij, në rast se e dëshiron. Ajo çka mbetet të bëjë tashmë kandidati është vetëm largimi nga portali i maturës shtetërore./Panorama/a.m.