Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka verifikuar formularët e vetëdeklarimit për deputetët dhe kryetarët e bashkive në kuadër të ligjit dekriminalizimit. Pas verifikimit nga KQZ-ja të projekt-akteve, nga 19 deputetë që nuk e kanë formularin e bardhë, 7 prej tyre kanë marrë me vendim të formës së prerë pafajësinë ose çështja është pezulluar. Nga verifikimi i dokumentacionit, vërtetohet se rrethanat e paraqitura në formularët e vetëdeklarimit të funksionarëve publik, nuk përfshihen brenda sferës së ndalimeve për shpalljen e pavlefshmërisë së mandatit apo ndërprerjes së këtij të fundit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi publikim e listave me arsyetimin se personat kanë dhënë miratim duke firmosur personalisht në këto formularë.
Shtatë deputetët e “pastër”
Shtatë prej deputetëve, që janë shpallur të pafajshëm dhe që u është pushuar çështja janë: Artan Gaçi, Asllan Dogjani, Blendi Klosi, Florian Mima, Luan Rama, Pjerin Ndreu dhe Mhill Fufi. Në formular Pjerin Ndreu ka shënuar arrestimin e tij në 2004 për akuzën e përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike. Por për këtë akuzë gjykata e ka shpallur të pafajshëm.
Për këtë akuzë ndaj tij ishte marrë masa e sigurisë detyrim me paraqitje para policisë gjyqësore. Një tjetër deputet që sipas KQZ-së hetimet janë pushuar është ligjvënësi demokrat Mhill Fufi. Në formularin e plotësuar pranë KQZ-së, ai del se është hetuar për këtë vepër penale. Akuzat në fjalë janë ngritur më datë 06.08.2000 dhe 20.01.2001. I pyetur për masën e sigurisë që është marrë ndaj tij, Fufi qarkon masën e “arrest me burg” dhe “arrest shtëpie”, por më vonë rezulton se procedimi është pushuar. Dhe formulari i ministrit Blendi Klosi ka dalë i pastër, pasi hetimet për të janë pushuar.
Të djathtët e “dënuar”
Nga radhët e deputetëve bien në sy emrat e deputetëve si Arben Ristani dhe Edi Paloka, që janë dënuar për vepra penale. Alban Zeneli, rezulton i dënuar dy herë me vendim të formës së prerë. Megjithëse emri i tij nuk është përfolur në publik, Zeneli rezulton i dënuar me 6 muaj burg dhe me 30 000 lekë gjobë. Vepra e kryer është ajo e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe kundërshtim të punonjësve të policisë.
Sipas formularit të vetëdeklarimit, ai ka treguar se është dënuar për herë të parë në gusht të vitit 1992 në Kukës me 6 muaj burg për akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”. Më pas në korrik të vitit 1996 deputeti Zeneli është dënuar për kundërshtim të forcave të rendit dhe qetësisë publike me 30 mijë lekë të reja gjobë. Të dyja këto vendime janë të formës së prerë. Ende nuk dihet nëse është përfshirë ndonjë aksident me pasoja të rënda në lidhje me veprën për të cilën është dënuar me 6 muaj burgim.
Edi Paloka- Deputet dhe njëherazi kryetar i grupit parlamentar të PD-së rezulton i dënuar dy herë. Sipas formularit të vetëdeklarimit, Paloka rezulton i dënuar në vitin 2001 për akuzën e organizimit dhe manifestimit të paligjshëm, vepër për të cilën ka qëndruar 10 ditë në qeli me masën e sigurisë “arrest me burg”. Gjithashtu ai ka pranuar se është dënuar edhe në vitin 2015 nga Gjykata e Lartë për akuzën e “shpifjes”.
Arben Ristani- Mes deputetëve që kanë pasur një proces gjyqësor është edhe Arben Ristani, aktualisht sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike. Ristani rezulton i dënuar me 5 muaj burg dhe me një vit liri me kusht për veprën penale “Dhënie vendimi të padrejtë”, vendim i cili është shfuqizuar më vonë. Ristani u arrestua me urdhër të Prokurorisë në vitin 1994, duke u mbajtur 48 orë prapa hekurave.
Fatmir Mediu- Deputeti i PR-së, i cili në kohën e qeverisë “Berisha” ka qenë ministër i Mbrojtjes në formularin e dekriminalizimit rezulton person nën hetim në Milano të Italisë. Sipas formularit të dekriminalizimit të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Mediu thotë se arsyeja hetimit ka qenë për “pengim të forcave të policisë në kryerjen e detyrës”, për të cilën më vonë është dhënë pafajësi nga Gjykata e Lartë.
Dështon ligji i dekriminalizimit?
Asnjë nga deputetët e dënuar apo hetuar në bazë të verifikimit të KQZ-së nuk janë subjekt i ligjit të dekriminalzimit dhe nuk cenojnë mandatin e tyre. Ligji është punuar për një kohë të gjatë nga të dyja palët dhe i ka marrë shumë kohë deputetëve. Por pas verifikimit të KQZ-së dhe lajmit se asnjë nga deputetët nuk rrezikon mandatin pyetja që shtrohet është: kush ka dalë blof? Drafti i dekriminalizimit u miratua në unanim me votat e mazhorancës dhe opozitës. Ai u mendua si hapi i parë drejt procesit të dekriminalizimit të politikës dhe administratës publike.
Të gjithë menduan se pas këtij vendimi unanim do të prekeshin shumë mandate deputetësh, zyrtarësh apo të zgjedhurish lokalë. Procesi zgjati 11 muaj, dhe e vetmja pikë që nuk ranë dakord ishte testi i drogës. Për socialistët ai ishte një nen qesharak, që nuk e kanë vendet e Bashkimit Europian, ndërsa për demokratët ishte tregues i integritetit të zyrtarit. Megjithë kontestime palë në fund arritën konsensusin.
Deputetët e majtë me formularë të “pastër”
Armando Prenga-Mes deputetëve të cilët rezultojnë se kanë probleme me ligjin, është edhe deputeti i Laçit. Në formularin e vetëdeklarimit të Armando Prengës për çudi i janë përmendur vetëm proceset gjyqësore me të cilat është përballur në gjykatat shqiptare. Prenga shkruan se veprat penale për të cilat është akuzuar janë “armëmbajtje pa leje” “kanosje” dhe “plagosje e lehtë”. Prenga është akuzuar nga opozita se është arrestuar për disa vepra penale jashtë vendit.
Tomë Doshi-Gjithashtu, i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë me 1 vit heqje lirie rezulton dhe deputeti Tom Doshi, me akuzën “sjellje e padenjë në shoqëri”. Gjithashtu, Doshi deklaron dhe arrestimin tij në vitin 2015, për kallëzim të rremë. Tom Doshi ka shënuar në formularin e vetëdeklarimit masën e sigurisë “arrest shtëpie” që iu dha pas denoncimit të një skenari vrasjeje. Doshi gjithashtu është dënuar me një vit heqje lirie në vitin 1990 për akuzën e “sjelljes së padenjë”. Deputeti është arrestuar 26 vjet më parë në kohën kur ishte ushtar, pas një sherri në Durrës.
Shkëlqim Selami-Deputeti i LSI-së, në formularin e vetëdeklarimit ka pranuar se është arrestuar dhe gjykuar në Itali për një vepër penale që nuk e specifikon. Ai është arrestuar në Brindizi, në vitin 2007 ku më pas është shpallur i pafajshëm. Po atë vit ai është ndaluar edhe njëherë nga policia italiane, e cila e ka shoqëruar për një verifikim.
Parid Cara-Deputeti i PS-së është dënuar me 800 euro gjobë me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Ferraras, Itali. Data e vendimit 02. 03. 2005 për shkelje të Kodit Rrugor.
Përparim Spahiu-Deputeti i LSI-së rezulton i ndaluar më 17 tetor 2009 për veprën penale goditje për shkak të detyrës. Për këtë është caktuar masa detyrim me paraqitje. Më 14 janar 2010 çështja është pushuar pasi personi nën hetim nuk ka kryer vepër penale.
Kryetarët e bashkive me “probleme”
Nga 11 kryetarët e bashkisë të cilët nuk e kanë lënë formularin e bardhë, për dy kryetarët e bashkisë, Artur Bushi dhe Elvis Roshi, KQZ ka miratuar dërgimin për verifikim të mëtejshëm në Prokurorinë e Përgjithshme. Po ashtu KQZ në përfundim të mbledhjes vendosi lidhur me verifikimin e deklarimeve në formularë të kandidatëve nga listat shumëemërore për anëtarë në këshillat bashkiak, duke njoftuar këta të fundit për vazhdimin e procedurave për dhënien e mandatit kandidatëve për plotësimin e vendeve vakante në këshillat bashkiakë.
Muaj më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të publikojë formularët e plotësuar nga zyrtarët që janë subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Nga të dhënat, rezultonte se kreu i Bashkisë së Krujës, ai i Kavajës, Poliçanit dhe Mallakastrës kanë plotësuar me “Po”, përgjigjen për pyetjen nëse janë ndaluar, gjykuar apo dënuar ndonjëherë. nga një gjykatë e huaj apo shqiptare. Artur Bushi, kreu i Bashkisë së Krujës në formular pati pranuar se është ndaluar në dy raste dhe që të dyja në Itali. Fillimisht në vitin 1996 në Caserta e më pas në Burso Arsizio, i hetuar e gjykuar për trafik lëndësh narkotike, ku në fund të procesit ka dalë i pafajshëm.
Dhe kreu i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi konfirmonte në formularin e vetëdeklarimit se kishte ndryshuar emrin nga Ervin në Ervis, ndërsa thotë se pranonte një dënim me gjobë nga Gjykata e Kavajës. Roshi pranonte se ka qenë nën hetim apo gjykim në Mynih, por “nuk i kujtohet” për çfarë arsyeje dhe as rezultati përfundimtar i gjykimit. Ndër të ndaluarit, dënuarit apo gjykuarit ndër krerët e bashkive janë përgjigjur me “po” edhe kreu i Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj dhe ai i Poliçanit. Rasti i veçantë është ai i kreut të Bashkisë së Kurbinit, Artur Ndoi.
Ai pranonte në formular se ka ndryshuar katër herë emrin dhe mbiemrin. Ai thoshte se ka mbajtur “emra të padokumentuar”: Gentian Lila, Altin Tanushi dhe Gent Bushi. E çuditshme është edhe vendlindja, pasi sipas formularit, Artur Ndoi ka lindur edhe në Laç edhe në Krujë. Dhe Agron Kapllanaj kryetari i bashkisë Mallkastër, ka qenë i dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykata e Firences në Itali në datë 07. 04.2003 për një ngjarje të ndodhur në muajin korrik të vitit 1995. Kryetari i bashkisë Poliçan, është arrestuar disa herë. Ai është dënuar me 10 muaj burg për veprën penale, kundërshtim të punonjësit të policisë. Ky vendim është dhënë në datën 1 shkurt të vitit 2001. Ndërsa në datën 21 maj të vitit 2002 Adriatik Zotkaj është dënuar me një vit burg nga gjykata e rrethit gjyqësor Tiranë për veprën penale falsifikim të dokumentave shkollore.
Kreu i bashkisë Poliçan është arrestuar edhe në vitin 1991 për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Ndërkohë Zotkaj është dënuar edhe një herë tjetër për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor me tre vjet burg nga gjykata e rrethit gjyqësor Korçë. Në formularin e vetdeklarimit, kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu ka përmendur gjykimin që i është bërë nga gjykata e Tiranës për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe shkelje të barazisë në tendera. Mziu u gjykua nga viti 2013 deri në 2015 për këtë akuzë dhe u shpall i pafajshëm nga Apeli. Edhe pse u mendua se Xhelal Mziu nuk do të mund të ushtrojë funksionet publike dhe është kërkuar që të dënohet me katër vjet burg. Ka qenë Prokuroria e Tiranës, e cila ka kërkuar dënim me 4 vjet burg për kryebashkiakun e Kamzës. Mziu është vënë nën akuzë për “shkelje të barazisë në tendera” dhe “shpërdorimit të detyrës”.
Isuf Kurtaj
ma.me