Kreu i Kuvendit Ilir Meta nuk ka munguar në pritjen e organizuar nga Fatmir Xhafaj në Pallatin e Brigadave për të festuar miratimin me konsensus të reformës në drejtësi.
Në këtë festë, të pranishëm ishin kryeministri Edi Rama, ambasadorët Lu dhe Vlahutin.
Në fjalën e tij, Meta i bëri thirrje të drejtpërdrejtë mazhorancës që mos të sulmojë opozitën dhe mos të bëjë veprime për ta nxjerrë keq në sytë e BE-së dhe SHBA-së, pasi do të vijë një ditë që vetë PS dhe LSI do të jenë në opozitë.
“Një falenderim e kam për nënkryetarin e komisionit të posaçëm Oerd Bylykbashi dhe anëtarët opozitarë të këtij komisioni që janë duke punuar për vetingun. Dëshiroj sot të falenderoj opozitën që u përfshi në këtë proces, sepse ka dhënë kontribut të rëndësishëm dhe substancial. Solli përmirësimin e drafteve. Edhe unë kam luftuar që opozita të fitonte të drejtën e vetme parimore që sipas e saj mbante larg nga konsensusi, vetëm për arsye që Shqipëria të përfitonte konsensusin e domosdoshëm dhe e ftoj opozitën të vazhdojë rrugën e konsensusit, sepse i bën nder vetes së saj dhe jep kontribut historik.
Kam një mesazh për kolegët e mazhorancës. Nuk duhet të sulmojmë opozitën se dikur kemi qenë në opozitë, se rotacioni është i pashmangshëm dhe një ditë do të vijmë në opozitë. Nuk fitojmë asgjë në rast se opozitën e detyrojmë të duket më keq përpara BE, NATO dhe SHBA”, tha kryeparlamentari Ilir Meta.
Gjatë kësaj jave, Kryeministri Rama dhe kryetari i komisionit për reformën në drejtësi Fatmir Xhafaj kanë akuzuar Partinë Demokratike se po prish konsensusin për miratimin me urgjencë të 7 pr/ligjeve.
opinion.al