Vera, që prej vitesh merret me tregtinë e rrobave të përdorura dhe ka një dyqan te Blloku, e ka krijuar tashmë klientelën e saj besnike. Sa herë që i vjen furnizimi i ri ajo njofton me sms dhjetëra vajza e gra, që edhe pse tingëllon e habitshme, thotë se janë edhe punonjëse bankash apo institucionesh të tjera. Vitet e fundit, thotë ajo, shitjet janë shtuar, teksa me krizën, klientët tentojnë të kursejnë sa më shumë.
Të dhënat e INSTAT e konfirmojnë këtë tendencë. Importet e veshjeve të përdorura kanë shënuar një rritje të ndjeshme dhe të pandalshme gjatë katër viteve të fundit. Për pesë mujorin 2016 ato arritën në 1 miliardë lekë (rreth 8 milionë euro), me një rritje prej 17% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Italia është shteti kryesor nga importohen veshjet e përdorura me 46% të totalit në 5 muajt e parë të vitit. E dyta është Kina me 13% dhe e treta Turqia me rreth 9% të totalit, sipas të dhënave nga INSTAT.
Një tjetër biznes që po shënon rritje është dhe ai i këpucëve dhe sidomos atleteve të përdorura, për të cilat gjithsesi nuk ka të dhëna për importet nga INSTAT, por është e dukshme që numri i tyre, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytetet e tjera sa vjen e shtohet. Shumë dyqane po ndryshojnë destinacion, duke u kthyer në tregtues të mallrave të përdorur.
Biznesi i mallrave të përdorura (kryesisht veshje, këpucë, çanta) u zhvillua menjëherë pas viteve ’90 kur vërshuan ndihmat dhe që mori emrin popullor “gabi”. Më pas, ritmi ra, teksa të ardhurat e konsumatorëve u rritën dhe preferencat u zhvendosën drejt veshjeve të reja.
Por vitet e fundit, tregtia e veshjeve dhe këpucëve të përdorura është “sofistikuar”, duke u zhvendosur nga rruga e fushat në dyqane të mirëfillta (që paguajnë taksa) dhe duke u bërë një prej bizneseve që po përfiton nga kriza.
Të dhënat afatgjata të INSTAT tregojnë se rritja e ndjeshme ka filluar në vitin 2013, pikërisht kur kriza e pas 2009-s filloi të jepte efektet në konsum.
Në vit importohen rreth 13 milionë kg veshje të përdorura, me një vlerë importi prej rreth 18 milionë euro në 2015-n, sipas INSTAT.
Monitor/d.i.