Besoj se edhe ata më të vendosurit për të lënë vendin e vet për një jetë më të mirë, banesën e fundit do të donin ta kishin aty ku dheu është më i lehtë, si në urimin tonë të vjetër.
Dallgët e jetës janë aq të paparashikueshme, sa që t’i hap sytë një ditë mijëra e mijëra kilometra larg e përpiqesh të bësh nënë tokën e huaj. Por, si do të të presë ajo, a mund të të njohë ç’njeri je, ç’ke bërë, ç’të mira e të këqija, çfarë ke hequr në jetë, si je rrëzuar dhe ngritur, si ke mbjellë e vjelë frute të ëmbla a të hidhura, sa ke dashur e sa ke ndihmuar të tjerët, e sa e sa mund të ketë një jetë.
Ai ishte një nga njerëzit e thjeshtë të këtij vendi, ju nuk keni lexuar e as keni dëgjuar për të e as e keni njohur, përveç shokëve e miqve, shumë më tepër janë ata që kanë dëgjuar në Durrës, vendlindjen e tij për familjen e madhe me emër të mirë, për vëllezërit e ndershëm, të respektuar e talentuar durrsakë Xhixha.
Ëndrrat për qiellin janë më të bukurat për shumicën e fëmijëve, por për djaloshin biond me sytë si deti i Durrësit, çuditërisht u bënë realitet. Fluturoi për herë të parë në Rusi e më pas në Kinën e largët dhe u kthye kalorës i qiellit, nga i cili nuk u nda kurrë, deri sa mbylli sytë përgjithmonë, të paktën me zemër mbeti atje.
Ndër pilotët e parë shqiptarë, Dalipi fluturoi sa e sa herë mbi atë reliev që thoshte se ishte më i bukuri që kishte parë: malet hijerëndë me qeleshe bore, fushat pranë detit si kopshte ku mund te shihje sythat tek bulëzonin dhe frutat tek ëmbëlsoheshin, fshatrat e qytetet e vegjël, të mbledhur shtrënguar për të qenë pranë ,lumenjtë që gjarpëronin ndritshëm dhe ai, i shtrenjti i tij, deti dhe Durrësi!…
Ishte një dashuri e madhe aty poshtë, që ai mundohej ta mbante ngrohtë nën krahët e avionit të tij
…Por jeta nuk është një avion që mund ta drejtosh nga të duash, ajo të merr e të çon atje ku mbase nuk e ke menduar kurrë. Me flokët e bardhë, me një pension të vogël në xhep, mbi një avion të cilin do të kish dashur ndofta ta drejtonte, por jo ta ndërronte me “Mig”-un e tij të shkathët si fëmijë çamarrok, ai la atdheun, për të qenë pranë djemve të tij që kishin nisur një jetë të re plot shpresa përtej oqeanit. Gjithmonë pranë shoqja e jetës, Resmija, një grua me zemër të madhe si rrallëkush, ish-mësuesja e përkushtuar e fëmijëve me aftësi të kufizuara që e donin si asnjë tjetër. Gjithmonë të fliste me aq pasion për ta, për talentet e tyre, për dashurinë e madhe që mbanin në zemra e që e shprehnin me shenjat e më shumë me sytë e tyre. Jo rrallë ata bujtnin tek ajo, jo veç për festa; nëse do të hynte dikush për herë të parë në apartamentin e tyre të vogël, nuk do t’i dallonte nga fëmijët e shtëpisë!
Kjo familje e thjeshtë vazhdoi jetën në Kanadanë e largët; gjyshërit iu përkushtuan veçanërisht dy mbesave, Viktorias dhe Izabelës. Lidhjet e ardhjet e herëpashershme në vendlindje nuk ishin veç gëzime, por edhe trishtim e lot për të afërm e shokë të ndarë nga jeta, takime në protestat për pensionet qesharake të ushtarakëve, rropatjet për hipotekimin e shtëpisë, ku kish jetuar prej vitesh. Aty mërzitej e aty çmallej, herë lotonte e herë kujtonte, disa gjëra i dukeshin më të bukura nga ç’i mbante në kujtesë e disa të tjera sikur ishin venitur e tkurrur.
Me gjithë dhimbjen e madhe, nuk di në do t’i kisha shkruar këta rreshta për humbjen e njeriut të mirë Dalip Xhixha, po të mos më kish dërguar Skerdi emocionet e atij funerali, sa të thjeshtë aq edhe të jashtëzakonshëm. Ishte shumë i prekur nga humbja e atit të shokut të tij që e kish mbajtur mbi supe kur ishte i vogël bashkë me Mandin, i kishte mësuar notin e i sillte dhurata modeste për ditëlindje (më shpesh aeroplanë plastikë ose prej druri). Përpjekjet dhe përkujdesjet e jashtëzakonshme të ekipit mjekësor të spitalit, nuk mundën ta mbanin në jetë zemrën e tij. Dhjetë mjekë e infermierë qëndruan për orë e orë të tëra mbi shtratin e tij, por ….
I mallëngjyen të gjithë fjalët e pastorit të shtëpisë së funeraleve të Bramtonit, Ontario; fjalët e tij kishin veç dhimbjen njerëzore për njeriun e ndershëm, të përkushtuar e të devotshëm, njeriun e thjeshtë që po varrosej në një tokë që nuk ka pse të jetë dhe nuk është e huaj për të. Ai e vlerësoi shqiptarin e mirë për cilësitë njerëzore, për kontributin e dhënë e djersën e ndershme; edhe pse në një vend të largët, djersa e tij ka pikuar mbi të njëjtën tokë, dashuria e tij ka qenë për njerëzit e kësaj toke. Ai, u shpreh pastori, ishte një prej njerëzve që vijnë nga shumë larg, në Kanada, por i bëjnë nder shoqërisë sonë, e bëjnë atë shpirtërisht më të madhe, më të pasur, me vlerat që sjellin. Për të, shqiptari Dalip Xhixha do të prehet i qetë, i respektuar e i nderuar në ketë tokë si çdo kanadez; ashtu si të gjithë ushtarët e rënë, që nën tokë janë njësoj.
Një oshëtimë avionësh sa vinte e afrohej, ndërkohë që Mandi e Ermali dukeshin të mërzitur që nuk erdhën përfaqësues të Aeroportit Muze të Hamiltonit, që i kishin lajmëruar. Të gjithë ngritën kokat lart, mbi varrezat e Bramtonit po fluturonin dy avionë. Nga Muzeu i Trashëgimisë të Avionëve Luftarakë ishin dërguar dy avionë të Luftës së Parë Botërore për të nderuar majorin e aviacionit shqiptar, mësuesin e brezave të tërë të aviatorëve të rinj. Ata bënë pesë fluturime nderimi (Flyby Salute) mbi kortezhin me arkivolin e mbuluar me flamurin kuq e zi. Vetë komandanti i grupit drejtonte njërin prej avionëve. Ai e quajti nder, që t’i bënte në këtë mënyrë homazh njërit prej pionierëve të aviacionit shqiptar, njërit prej shokëve e kolegëve të nderuar, ndonëse nuk ishin parë e takuar kurrë.
Ishte nderimi që i bëhej njeriut që me modesti, pa lëvdata e pa bujë, ka kryer me nder misionin që i ngarkonte koha kur jetoi; pa kërkuar asgjë, veç duke dhënë gjithçka mundej. Ishte nderimi më i bukur që i bëhet një njeriu të thjeshtë, një emigranti shqiptar flokë e zemërbardhë, që ta ndjejë sa më të lehtë dheun ku ka rënë, si të ishte dheu i Durrësit të tij.
Nën atë uturimë motorësh avionësh, të gjithë shqiptarët u ndjenë krenarë, ndjenë që dheu i huaj u bë më i lehtë, sepse atë e bëjnë njerëzit e mirë, me zemër të madhe, me dashurinë njerëzore që nuk njeh kufij, kombe e raca. Sa do të doja një mrekulli: që Dalipi të hapte sytë e të shihte qiellin me avionë,vetëm për një çast!…
Natasha Cerga
ma.me