Nga Mentor Kikia
Takova një grup banorësh në fshatin Bërzhitë të Tiranës. Një ndër hallet e mëdha me të cilat përballen, ishte se nuk mund ndërtojnë dot qoftë dhe një kotec pulash, nuk meremetojnë dot kasollen e lopës, e nuk i ndërrojnë dot tjegullat shtëpisë. Quhet ndërtim pa leje. Përfundon direkt në burg.
E di, ky është shtet, këto janë rregulla. Po, dakord jam edhe unë.
Por e dini ju që ai fshatari që do të ndërtojë kotecin e pulave në tokën e tij, duhet të plotësojë saktësisht të njëjtat dokumente që duhet të plotësojë edhe ndërtuesi i Stadiumit Kombëtar me kullë në anë? Madje ai i stadiumit nisi punë pa u firmosur leja, sepse nuk kishte kush ta lajmëronte INUK-un.
E dini ju që për të ndërtuar kotecin duhet të plotësohen 45 dokumente, si psh: Projekt nga një firmë arkitekture e licencuar. Kontratë noteriale me një kompani ndërtimi. NIPT nga kompania e ndërtimit posaçërisht për kotecin, që kushton 2.5 milion lekë (Taksë që e vjel bashkia). Projekte inxhinierike, teknike, elektrike, hidroteknike…. vërtetime nga Monumentet e Kulturës, Mjedisi, OSHEE, Ujësjellësi, Kanalizimet, Sizmologjia…Polica sigurimi për inxhinierët dhe studiot që bëjnë projektet, deklarata noteriale të inxhinierëve që ata e kanë bërë punën me cilësi, vërtetime QKR-je për çdo studio që lëshon një vërtetim… taksa, taksa, taksa pa fund.
Pagesa për çdo copë letër, për çdo vërtetim kërkohen më e pakta nga 50 mijë lek (të vjetra)… Pastaj taksa e ndërtimit…pastaj siguracioni i punëtorëve që do të bëjnë kotecin, pastaj vërtetim për pagesën që do të marrin punëtorët e kotecit…Nuk kanë futur vetëm analizat për grupin e gjakut te punëtorëve. Nuk di kush dreq mendje ka shpikur tërë këtë mekanizëm zhvatës, por kjo është një maskaradë.
Pa asnjë ekzagjerim, nëse vërtet do të ndërtoni qoftë edhe një kotec sipas ligjit, vetëm procedurat e lejes së ndërtimit shkojnë 5 mijë euro. Qeveria ka vendosur të njëjtat rregulla, të njëjtën procedurë, të njëjtat taksa, si në bulevardin e Tiranës ashtu edhe në Zallbastar, në Kuç të Vlorës dhe Shishtavec të Kukësit.
Të njëjtat procedura si për një pallat 25 kate, ashtu dhe për një shtëpi me 2 kate, e madje dhe për një mur rrethues. Edhe për një kotec lejen duhet te japë KRT e bashkisë se madhe. Edhe për t’i ndërruar tjegullat e thyera te çatisë, duhet të japë KRT e bashkisë leje.
Një procedurë maskaradë që ose të rrjep, të paktën në Tiranë të rrjep me tërë kuptimin e fjalës, ose të dërgon në burg. Forcimi i shtetit po ia tregon dhëmbët shtresës më të varfër, asaj më nevojtares.
Nëse je duke vdekur dhe njofton autoambulancën, ajo vjen pasi ke “mbaruar punë”. Por nëse do të ndërrosh tjegullat e shtëpisë apo të bësh kotec për pulat, furgoni i INUK vjen për 10 minuta – tha njëri nga fshatarët.