Rënia e sterlines dhe lëkundjet e tregjeve janë vetëm pjesa e dukshme e efektit të Brexit. Vetëm një muaj pas votës në favor të daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, pasojat janë dramatike në mjaft fusha.
Alarmi i fundit vjen nga disa universitete në Uells, ku është vënë re ulje e madhe e regjistrimeve nga ana studentëve nga vendet e BE, pas fitores së Leave.
Pak ditë më parë, gjatë ceremonisë së dhënies së diplomave, një nga profesorët në Aberystwyth University bëri të ditur se njëqind të rinj nga BE kishin anuluar regjistrimin për vitin e ri akademik, i cili nis në shtator. Një numër jo i vogël, duke pasur parasysh që në vitin shkollor 2014-2015 studentët nga BE ishin 800, ndërsa ata nga vendet e tjera rreth 600. Nga këtë të dhëna, 100 studentë që largohen janë një goditje e rëndë, jo vetëm për imazhin, por edhe për të ardhurat.
Studentët evropianë në Britaninë e Madhe janë mbi 120 mijë dhe paguajnë kuota vjetore 10-15 mijë sterlina secili. Ndaj ulja e numrit të tyre sjell edhe ulje të të ardhurave për shkollat e universitetet.
Në rrezik të madh është edhe financimi i shumë universiteteve nga fondet e Bashkimit Evropian.
Para votimit, Lordi Chriss Patten, ish-komisioner evropian dhe tani kancelar i Universitetit të Oksfordit, u kërkoi studentëve dhe trupit pedagogjik që të votonin në favor të Remain (qëndrimit në BE), në të kundërt Britania do të humbiste fonde të rëndësishëm, të paktën tri herë më të mëdhenj se ato që derdheshin në Bruksel për formimin dhe arsimimin.
Por fjala e tij nuk u dëgjua dhe problemet kanë nisur.
Corriere/d.i.