Zyrtarisht ka shkuar në dy numri i pacientëve që humbën jetën nga rënia e zjarrit në ambientet e brendshme të Spitalit Amerikan.
Grupi hetimor gjatë këqyrjes dhe kontrollit të vendit të ngjarjes kanë konstatuar poshtë një krevati trupin e pajetë të një pacienteje tjetër të identifikuar 55 vjeçarja Hani Mali, banuese në Laç.
Ngjarja
Spitali Amerikan nr.1 në Tiranë është përfshirë nga flakët, ku si pasojë ka humbur jetën një paciente.
Viktima është identifikuar 55 vjeçarja Sanie Sulaj nga Mamurrasi, e cila ka qenë duke marrë shërbimin e Hemodializës në momentin e rënies së zjarrit.
Shkak i zjarrit ka qenë një sherr mes dy pacientëve, ku njëri ka tentuar të djegë tjetrin brenda dhomës së Hemodializës. Sipas Policisë, zjarri është vënë nga pacienti i identifikuar si Lefter C., 57 vjeç, pas një konflikti me pacientin tjetër D.Saraçin, 47 vjeç.
Autori i zjarrvënis Lefter .C pasi ka mbaruar dializen ka shkuar në dhomën e shtetasit D.S, ka nxjerrë nga qesja një bidon dhe dyshohet të ketë spërkatur me benzinë atë dhe më pas i ka vënë zjarrin.
Me nderhyrjen e infermierëve është bërë e mundur shuarja e zjarrit mbi autorin e dyshuar dhe të dëmtuarin.
Saraçi ka qenë i shtruar dhe merrte mjekim dhe në të njejtën dhomë me të ka qenë duke marrë mjekim dhe pacientja Sanie Sulaj, 55 vjeçe nga Mamurrasi e cila ka gjetur vdekjen si pasoje e asfiksisë.
Aktualisht D.Saraçi ndodhet i shtruar në sallën e reaminacionit pranë spitalit Ushtarak, kurse autori i dyshuar ndodhet në spitalin American 2.
Të lënduar nga zjarri kanë mbetur dhe dy infermiere të pavionit të Hemodializës, ku njëra prej tyre mësohet se është asfiksuar nga tymi dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Mësohet se reparti i Hemodializës është djegur pjesërisht, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme.
Zjarrfikësit të cilët mbërritën menjëherë në vendngjarje, bënë të mundur neutralizimin në kohë të flakëve.
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, u shpreh se nga zjarri në Spitalin Amerikan ka humbur jetën një person. “Ka një fatalitet, por do t’ia lëmë organeve të drejtësisë të hetojë shkaqet e kësaj ngjarje. Sigurisht që ne do të zhvillojmë një hetim administrativ”, u shpreh Beqaj.
Ministri theksoi se dy pacientë të tjerë ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore dhe bëhet fjalë konkretisht për autorin e zjarrvënies dhe pacientin tjetër të cilit ai donte t’i vinte flakën. “Dy pacientë ndodhen në gjendje të rëndë dhe po marrin mjekimin përkatës”.
“Të tjerët me dëmtime të lehta. Janë të dëmtuar edhe dy infermierë që kanë qenë duke kryer shërbimin ndaj pacientëve. Janë treguar shumë të zotë duke ndihmuar pacientët që të hiqnin pacientët për të dalë jashtë sallës”, tha Beqaj.
shqiptarja.com/d.i.