Në Fier vijon rritja e shifrave të eksporteve te prodhimeve bujqësore të zonës.
Sipas drejtorisë Rajonale të Bujqësisë, vetëm për 6 muajt e parë të vitit u eksportuan mbi 500 mijë tonë prodhime të fermerëve, kryesisht fruta e perime, ose 141% eksporte më shumë se e njëjta periudhe e një viti më parë.
Vetëm për muajin qershor 2016, ky zë kapi shifrën e 21 mijë tonëve, kryesisht perime të serës, por edhe luleshtrydhe.
Specialisti Nuredin Baboci, thotë se, “nëse gjatë vitit 2014-2015 janë eksportuar maksimumi 250 tonë patate, këtë vit deri tani eksporti i patates u rrit në 960 tonë. Peshë të rëndësishme kanë zënë edhe kulturat bostanore, veçanërisht shalqiri me 11300 tonë eksporte. Ndërsa kërkesa e tregut të huaj është e lartë edhe për kulturat e dyta. Veçanërisht lakra, preshi ku janë eksportuar 7300 tonë.
Sipas drejtorisë së Bujqësisë së qarkut Fier, rritja e eksporteve është shoqëruar këtë vit edhe me zgjerimin e hartës së vendeve ku eksportohet, ku përveç vendeve të BE-së eksportet bujqësore made in Albania janë shtrirë dhe në Azi./a.m.