Nga Sokol Balla
Tashmë kur kanë mbetur vetëm katër ditë fushatë, tonet janë ashpërsuar dhe strategjitë e të gjitha palëve janë në pikën kritike: ku takimet, mitingjet reklamat, fletëpalosjet apo edhe “ofertat” e tjera janë bërë dhe këto 150 orë, janë më shumë ankthi për stafet dhe kandidatët: ku kanë gabuar? Cfare kanë tepruar? Kë kanë bindur dhe kë kanë neveritur me një milion premtime, të cilat nëse realizohen 50 përqind, do ta kthejnë Tiranën në Paris, Vorën në Nju Jork, Lezhën në Hamburg apo Shkodrën në Venecia (atë të vërtetën dhe jo të përmbytjeve)?
Një gjë është e sigurt: të dy kampet kanë ndezur motorrët në maksimum, dhe sigurisht makineria e pushtetit duket se ka shumë karburant në trenin Rama Meta, ndërsa makina blu, ka varur gjithë shpresat në energjinë diellore të buzeqeshjes së Bashës. Sondazhet e të dyja palëve tregojnë të dhëna të kithëta: të majtët kanë besim se objektivi prej 45 bashkish do arrihet dhe mund të kalohet, kur të lënë të kuptosh se në veri, veç konfirmimeve në Lezhë, Bulqizë, janë në rrugë të mbarë për Shkodrën, Kukësin dhe Peshkopinë. Por të djathtët buzëqeshin dhe thonë se veç këtyre, do të marrin mbrapsht edhe Burrelin dhe në jug, do fitojnë në Berat, Gjirokastër e Pogradec, ndersa nuk vënë në dyshim Sarandën, Delvinën apo Konispolin. Në qytetet e mëdha situata është pak më ndryshe. PD nuk e dëgjon shumë të flasi për fitore në Korçë apo Elbasan, por te Durrësi, tetë pikët para sipas PS, të Dakos, përplasen fort me 14 pikët para të Dumës, sipas PD. Tirana është histori më vete si gjithmonë. Lënia vetëm e Kosovës nga Basha dhe përfshirja jo e zakontë e Ramës në spotin e Veliajt, nuk përputhen në logjikë as me atë që tregojnë sondazhet e pavarura, as me logjikën e thjeshtë të numrave, që i japin një avantazh kandidatit të majte me mbi 50 mijë vota, pa llogaritur ato që mund të marrë nga PDIU, FrD dhe PDK. Tek të dyja kampet vihet re pa shumë mundim një ankth për të nxjerrë votuesit e TYRE në 21 qershor për të hedhur votën në kuti.
Në fakt është hera e parë që nga korriku 1992, që Lokalet zhvillohen në verë, bile në solstic. A do të jenë të motivuar shqiptarët të dalin në masë të votojnë në ditën më të gjatë të vitit, në zgjedhje që nuk kanë teorikisht rëndësinë politike të zgjedhjeve të përgjithshme? PD thotë PO. Basha në intervistë në Top Story i quajti këto zgjedhje, parathënie të atyre të parakohshme, ndaj po premton ulje taksash, falje kamatash dhe ulje të çmimit të energjisë. Rama i përgjigjet në distancë se kjo është non sens, siç edhe duhet të jetë. Por nga ana tjetër nuk ka një alternativë non-no sense, për ofertën e Bashës. Kjo qeveri në dy vite ka marrë përsipër disa aksione antipopullore, dhe e ka aq seriozisht rikthimin e fokusit tek zbatimi i ligjit, sa arrestimet për fatura energjie të vjedhura apo të papaguara si dhe prishje me tritol të ndërtimeve pa leje, kanë vazhduar edhe në ditët e fushatës. Por a do t’i japë kjo qeverisjes një faturë të lartë në këto zgjedhje, siç shpreson PD?
Në të gjithë demokracitë funksionale, middterm elections, pra zgjedhjet në mes të mandatit, siç janë kryesisht kudo Lokalet, i japin një shuplakë qeverisë, kryesisht nga votuesit e saj. Kjo jo domosdoshmërisht sjell fitore të opozitës në zgjedhjet e mëpasme politike dhe këtë më shumë se kurrë e treguan zhvillimet në Britaninë e Madhe. Shqipëria, që vlerësohet nga raportet ndërkombëtare ende si Demokraci hibride, gjithsesi nuk ka bërë përjashtim nga ky trend. Në korrik 1992, fituan të majtët. Në tetor 1996 dhe qershor 2000 janë përjashtimet e vetme kur pushtetin lokal e fitoi partia që kishte pushtetin qëndror, por duhet thënë se në lokale, vihej pas dy zgjedhjeve të përgjithshme aspak normale, siç ishin ato të 1996 dhe 1997. Në çdo herë tjetër, në 2003, 2007 dhe 2011, pushteti qëndror në zgjedhje lokale ka marrë një goditje serioze nga votuesit në Lokale. Por a do të ndodhë sërish kështu në 21 qershor?
Duhet thënë se zgjedhjet e 2013, pavarësisht se ishin të “zakonshme”, nuk ishin aspak normale. E para sepse e majta u bashkua, duke i dhënë një mbështetje matematike, Rilindjes së ofruar nga Rama, pas dy mandateve me oshilacione të Berishës, i cili nga 2011 e këtej, nuk duroi dot dhe përjetoi një rikthim në origjinë, me 21 janarin, procesin e numërimit në Tiranë, si dhe vendosjen e njerëzve të tij të afërt në Gjykatë të Lartë, Kushtetuese, Presidencë dhe SHISH. Shtuar këtu edhe lidershipin ndryshe të Bashës, shtyjnë shumë analistë të besojnë se është ende tepër herët për të folur për një rikthim të PD në kuota që të rrezikojnë pushtetin e të majtëve. Por aksionet me dorë të fortë të qeverisë, plus një ekonomi që ende nuk jep shpresë të fortë, përtej atyre që thotë Ahmetaj, janë logjikshëm një përrua potencial votash për opozitën, ose në rastin më të mirë një shkretëtirë votash abstenuese për mazhorancën.
Të gjithë këto faktorë, më bëjnë të krijoj përshtypjen (jo bindjen) se 21 qershori duket nuk do të jetë as një rast i zakonshëm si precedentët e mëparshëm elektoralë lokalë kur qeveria merr një dackë nga votuesit por as edhe një momentum i pastër i rikonfirmimit të mazhorancës qëndrore. Kjo sepse jo për të parë, u duhet të zgjedhin mes një opozite që ka argumenta, por nuk bind në lojë dhe një qeverie që e votuan vërtet për vullnetin e rivendosjes së ligjit, por edhe për shpresën për të jetuar më mirë.
Një zgjedhje e vështirë për këdo, aq më tepër për një votues mesatar, të cilit i duhet të ndajë jo pa mund perspektivën e fëmijeve të tij, pa menduar shumë sesi të mbyllë muajin e llogarisë së parave të ekonomisë së familjes së vet. Ky më duket, se është testi i vërtetë i maturisë se zgjedhësve. Një test që deri më sot, ata e kanë kaluar me sukses. Pavarësisht sesi ka qënë rezultati, votuesit shqiptarë nuk kanë zgjedhur asnjëherë gabim. Këtë duhet ta kenë parasysh të gjithë, edhe ata që mund të habiten nga rezultati i 21 qershorit.
Ekskluzivisht për JavaNews.al