INSTAT ka publikuar të dhëna mbi sasinë vjetore e mbetjeve të gjeneruara për banor në shkallë vendi, që ka patur trend në rritje përkatësisht me: 396 kg/banor në vitin 2015, në 355 kg/banor në vitin 2014 dhe 321 kg/banor në vitin 2013.
Të dhënat për mbetjet urbane të gjeneruara në Europë janë marrë nga Eurostat. Mesatarja e BE-27 është 475 kg/frymë. Shteti që gjeneron më shumë plehëra është Danimarka, me 759 kg/frymë, i ndjekur nga Qipro me 626 kg/frymë dhe Gjermania me 618 kg/frymë.
Në raport me rajonin, Shqipëria gjeneron më shumë plehëra se Maqedonia (370 kg/frymë) dhe Serbia (302 kg për frymë) dhe më pak se Mali i Zi (507 kg/frymë).
Shteti më i “pastër” në Europë është Rumania me 272 kg/frymë.
Në gjithë Europën është tendencë ulja e gjenerimit të mbetjeve, ndryshe nga Shqipëria që vetëm po e rrit këtë tregues. Për më tepër, vendi ynë është larg ndarjes dhe riciklimit të mbeturinave të brendshme.
INSTAT: Rritja nga ndryshimi I sjelljes shoqërore
INSTAT raporton se në Shqipëri mbetjet e ngurta urbane të menaxhuara me fonde publike kanë patur trend në rritje ndër vite, shpjeguar kjo ndër të tjera me sjelljen shoqërore të banorëve si refleksion i ndryshimeve në mënyrën e jetesës së tyre. Në vitin 2015 rezulton të jenë menaxhuar rreth 1,4 milion ton mbetje, në vitin 2014 rreth 1,2 milion ton dhe në vitin 2013 sasia e mbetjeve të menaxhuar me fonde publike ishte 950 mijë ton.
Sasia e mbetjeve industriale të përziera në burim bashkë me ato urbane ka patur rritje jo lineare nga viti 2013 në vitin 2015. Në vitin 2015 sasia e mbetjeve jo urbane të menaxhuara ishte 94 kg/banor, në vitin 2014 ishte 90 kg/banor dhe në vitin 2013 ky tregues ishte 44 kg/banor.
Niveli i mbulimit të popullatës me shërbime komunitare për menaxhimin e mbetjeve urbane nuk ka qenë konstant në tri vitet e vrojtuara duke shënuar luhatje të këtij treguesi në vlerat 60 % në vitin 2015, 63 % në 2014 dhe 51,9 % në vitin 2013. Të dhëna të detajuara jepen në figurën 3 dhe tabelë 3.
Në përbërjen e mbetjeve urbane përbërës kryesor janë mbetjet organike. Në mbetjet e menaxhuara sasia e mbetjeve organike ka ardhur në rritje përkundrejt mbetjeve në total. Në vitin 2015, mbetjet organike përbenin rreth 51,4 % të sasisë nga 50,2 % që ishte në 2014 dhe 41,0 % në vitin 2013 ndaj totalit të përgjithshëm. Të dhëna më të detajuara jepen në tabelën 4.
Mbetjet e menaxhuara janë trajtuar kryesisht duke i depozituar ato në landfille dhe vende të tjera depozitimi të miratuara nga organet përkatëse të pushtetit vendor. Depozitimi i rregullt i mbetjeve ka ardhur në rritje përkatësisht në vitin 2015 u depozituan 68,8 %, në vitin 2014 u depozituan 63,4 % dhe në vitin 2013 u depozituan 50,6 % e sasisë totale të mbetjeve të menaxhuara në shkallë vendi. / monitor