Kërcënohet redaksia e News24 dhe sërish gazetarja e gazetës shqiptare Aurora Koromani. Kërcënimi i rëndë ka ardhur përmes një mesazhi në adresë të numrit të telefonit të redaksisë së News24 vënë në dispozicion për qytetarët. “Juve ka me ju dënu Allahu. Aurora Koromani ka me ken e vrar”, – ka qenë ky mesazhi i shkruar në dialekt, i mbërritur, në orën, 00:49 minuta në telefonin e redaksisë. Ndërkohë që 4 minuta më pas, ai është pasuar nga një telefonatë që vinte nga i njëjti numër. Por këtë radhë telefonuesi ka qëndruar në heshtje për 9 sekonda në linjë, pa iu përgjigjur gazetarit që u përgjigj në telefon. Televizioni News24 e ka trajtuar kërcënimin me seriozitet, duke kontaktuar policinë. Kjo e fundit ka nisur hetimet për identifikimin e njeriut që qëndron pas mesazhit kërcënues dhe për të gjetur lidhjet me kërcënimin që iu bë disa ditë më parë gazetares Aurora Koromani në rrjetin social ‘Facebook’. Në një mesazh që dyshohet se vinte nga një militant i ISIS ajo paralajmërohej me fjalët “Do të paguash”. Ngjarja mori angazhimin e policisë, e cila i siguroi mbrojtje gazetares. Pas këtij lajmi reaguan përfaqësuesit më të lartë të shtetit dhe politikës, ndërsa kërcënimi u pasqyrua jo vetëm nga shtypi vendas por edhe mediat prestigjoze ndërkombëtare. BW