Një djalë dhe dy vajza të apasionuar pas modelingut kanë ëndërruar veten e tyre në pasarelat ndërkombëtare të modës, pas nënshkrimit të një kontrate me producenten e një konkursi bukurie në Shqipëri.
Me premtimin e producentes Denada Sadedini, se do të promovoheshin në Kinë apo Turqi, ata i kanë dhënë asaj shuma parash, që shkonin deri në 2500 euro për person. Me kalimin e kohës, të rinjtë, jo vetëm që nuk kanë marrë shërbimin për të cilin kishin paguar, por as nuk u është kthyer pas pagesa e kryer. Përpjekja e tyre për të kontaktuar me menaxheren e “Miss”- eve, Sadedini, ka dështuar pasi janë përballur me telefonin e saj të fikur dhe me refuzimin e saj për t’u takuar.
Përmes së njëjtës skemë është mashtruar edhe një tjetër pjesëmarrës i konkursit të bukurisë së organizuar nga Sadedini, i cili i ka dhënë asaj para në këmbim të futjes në një universitet privat, që u mbyll më pas. Hetimi i nisur pas kallëzimit të të rinjve u përmbyll në mars 2016 me dërgimin e Sadedinit si e pandehur në Gjykatë për veprën penale të “mashtrimit”.
Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës përfundoi gjykimin ndaj saj, duke e shpallur fajtore për akuzën dhe dënuar me 2 vjet heqje lirie. Gjatë gjykimit e pandehura ka treguar pendesë para Gjykatës. Mësohet se e pandehura Sadedini i ka bërë ankim këtij vendimi në Gjykatën e Apelit Tiranë.
MASHTRIMET ME KINEN
Referuar vendimit të zbardhur të Gjykatës së Tiranës, në 25 gusht 2016, shtetasi Xh.Sh. ka kallëzuar të pandehurën Denada Sadedini për marrjen e një shume të hollash, në këmbim të promovimit të djalit të tij model.
Sipas kallëzimit të babait, djali i tij, F.Sh., ishte fitues i konkursit të organizuar nga e pandehura “Miss & Mister Beaty Albania”. Ai ka shpjeguar se ka lidhur një kontratë të noterizuar me të pandehurën, me qëllim të promovimit të djalit të tij duke e dërguar në Kinë.
“Pasi ka kaluar një kohë, e pandehura nuk ka realizuar detyrimin sipas kontratës dhe nuk i ka kthyer as shumën e lekëve, duke iu shmangur takimit dhe mbyllur telefonin”, thuhej në vendim. Sipas Gjykatës, nga ballafaqimet e bëra me shtetasit Xh.Sh. dhe O.K., i riu që pagoi për universitetin privat, rezultoi se e pandehura i ka mashtruar me të njëjtin mekanizëm, promovimin e tyre në arenën ndërkombëtare.
MASHTRIMI 2500 EURO
Në kallëzimet e administruara si provë në gjykim është edhe ai i shtetasit A.E., i cili ka paguar “tarifën” e kërkuar nga menaxherja e “Miss”-eve për llogari të vajzës së tij modele. Sipas Gjykatës, me të njëjtin mekanizëm e pandehura e ka mashtruar atë duke i premtuar suksesin e vajzës së tij, E.E., në Kinë kundrejt një pagese prej 2500 eurosh. Fillimisht ai i ka dhënë 1000 euro të pandehurës pranë një qendre tregtare në Tiranë dhe më pas i ka dhënë në kohë të ndara 500 dhe 1000 euro. “Pasi ka marrë shumën e lekëve, e pandehura iu është shmangur takimeve dhe duke mbyllur çdo kontakt me të”, shprehej Gjykata.
MODELE NË TURQI
Një tjetër rast i konsideruar nga Gjykata si mashtrim nga ana e të pandehurës është ai ndaj shtetases H.SH., në 12 janar 2016. E pandehura ka marrë prej saj një shumë të hollash për të shkuar në shtator në Turqi për një konkurs, por më pas është zhdukur duke humbur çdo kontakt me të. Sipas Gjykatës, në vijimësi e pandehura i është shmangur shtetases H.Sh., as në Turqi nuk e ka çuar dhe nuk i ka dhënë as të hollat e përfituara.
ARSYETIMI I GJYKATES
“Gjykata arsyeton se e pandehura Denada Sadedini me anë të mashtrimit u merr njerëzve të ndryshëm të holla duke u premtuar gjoja sikur do të ofrojë një shërbim, një promovim, duke përdorur të njëjtin mekanizëm, por qëllimi i saj është marrja e lekëve dhe më pas i shmanget kontaktit me të dëmtuarit dhe nuk iu kthen as shumat e lekëve”, shprehej Gjykata në vendimin përfundimtar.
Panorama/d.i.