Ish-lideri serb i Bosnjës, Radovan Karaxhiç, është ankuar ndaj vendimit për dënim me 40 vjet burg për gjenocid dhe i ka akuzuar gjyqtarët e Tribunalit të Hagës se “e kanë bërë atë subjekt të procesit politik”.
Avokati i Karaxhiçit, Peter Robinson, tha në Hagë se klienti i tij “ishte subjekt i procesit politik, që thjesht ishte i projektuar për ta konfirmuar demonizimin e tij dhe të popullit serb të Bosnjës”.
Radovan Karaxhiç, 71 vjeçar, më 24 mars është dënuar nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi, për gjenocid gjatë masakrës së Srebrenicës, ku janë vrarë afro 8 mijë burra e djem myslimanë.
Ai, po ashtu, ishte shpallur fajtor për nëntë krime të tjera të kryera gjatë luftës në Bonsjë Hercegovinë, në periudhën 1992-95, përfshirë bllokimin e Sarajevës, me ç’rast kanë humbur jetën afro 10 mijë vetë.
Avokati Robinson tha se procesi kundër Karaxhiçit ishte jokorrekt dhe se gjyqtarët “e paragjykuan fajësinë e tij dhe pastaj e konstruktuan gjykimin për ta arsyetuar parasupozimin e tyre”. (b.an)