Aplikuesit e Lotarisë 2015, duhet të kontrollojnë sërish statusin pasi mund të dalin fitues. Të gjithë qytetarët shqiptarët që aplikuan për Lotarinë Amerikane 2015, por nuk janë shpallur fitues, kanë akoma një shans të fundit për t’u përzgjedhur. Bëhet fjalë jo për ata persona që kanë aplikuar vitin e fundit, por për të gjithë ata që e kanë hedhur Lotarinë më herët, në nëntor të vitit 2013, për të fituar Lotarinë e Vitit 2015. Këta persona e kanë marrë përgjigjen më datë 1 maj 2014, por pavarësisht se përgjigja ka dalë negative, ata duhet ta kontrollojnë edhe një herë për t’u siguruar nëse kanë fituar ose jo.
Fituesit e rinj
Ambasada Amerikane informoi pesë ditë më parë në faqen e saj zyrtare në ‘Facebook’ se, në fazën e përzgjedhjes së fituesve ka pasur një problem teknik në faqen e Kontrollit të Statusit të të Regjistruarve, dhe si pasojë e kësaj, jo të gjithë fituesit e kanë marrë përgjigjen pozitive. Ndaj dhe për këta persona është lënë një afat i dytë, ku deri më 30 qershor të këtij viti ata kanë mundësi që të kontrollojnë sërish statusin prej nga ku, këtë herë mund të marrin një përgjigje pozitive.
Kujdes nga e-mail-et mashtruese
Ambasada i rekomandon qytetarëve që të bëjnë kujdes nga mesazhet mashtruese. Nëse ju keni marrë një postë elektronike që ju njofton se aplikimi juaj për programin e Lotarisë Amerikane ishte fitues dhe në mënyrë që të vazhdoni me aplikimin tuaj ju duhet të dërgoni një shumë të hollash (para) në emër të një personi, ju jeni viktimë e një mashtrimi. “QKK-ja nuk do t’ju kërkojë juve t’u dërgoni para atyre, kësaj ambasade, apo ndonjë ambasade tjetër të SHBA-së me postë, apo shërbime të tilla si Western Union. Nëse ju merrni një e-mail që ju duket të jetë një njoftim mashtrimi me Lotarinë DV, ne ju kërkojmë që ju ta dërgoni atë e-mail në adresën tonë të postës elektronike Ti***************@st***.gov”, sqaron më tej ambasada. Ajo iu kërkon qytetarëve që të lexojnë më shumë në faqen e internetit të Ambasadës Amerikane në Tiranë mbi mashtrimin. Gjithashtu, qytetarët mund të kontrollojnë Paralajmërimin e Departamentit të Shtetit dhe Paralajmërimin e Komisionit Federal të Tregtisë mbi mashtrimet me Lotarinë DV (në anglisht).