Pasi përfaqësuesi i Frymës së Re Demokraktike, njëherësh edhe imam i një xhamie në Tiranë, Naim Leci, doli dje në krah të Veliajt në Farkë, ka reaguar sot KOMUNITETI MYSLIMAN I SHQIPËRISE.
Në një deklaratë të shpërndarë për mediat KMSH shpreh paanshmërinë e spekterit politik dhe distancohet nga cilitdo që përdor emrin e KMSH dhe tenton të flasë në emër të fesë për efekte elektorale.
Ja deklarata e plotë e KMSH:
“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, duke vlerësuar rëndësinë e ushtrimit të votës së lirë si një e drejtë kushtetuese e çdo qytetari, i bën thirrje besimtarëve myslimanë dhe mbarë qytetarëve shqiptarë që ta përmbushin këtë detyrim në qetësi qytetare dhe në respekt të plotë të normave më të bukura që ne trashëgojmë.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në përmbushje të funksionit të tij institucional ndaj besimtarëve dhe qytetarëve të këtij vendi shpreh paanshmërinë ndaj spektrit politik, si dhe distancohet ndaj çdokujt që përdor emrin e KMSH dhe tenton të flasë në emër të fesë për efekte elektorale.
Ne inkurajojmë të gjithë besimtarët të shprehin të drejtën e tyre ligjore përmes votës së lire, sikurse ata individualisht e gjykojnë të arsyeshme, për të dhënë kështu kontributin për qytetin e tyre.”