Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati është shprehur sot në një postim ne “Facebook” se, “Miratimi i reformës së drejtësisë unanimisht nga Kuvendi, shënon fillimin e fundit të tranzicionit”.
“Arkitektura e re e drejtësisë kërkon më shumë mund, urtësi, ujdi mes aktorëve politik e shoqëror, fuqizim të kapaciteteve njerëzore e investime në infrastrukturë. Më shumë bashkëveprim me ekspertizën ndërkombëtare, për të çrrënjosur kulturën e pandëshkueshmërisë, për të fituar besimin e qytetarëve tek drejtësia dhe për të hedhur themelet e një paqeje të re sociale”, shkruan ministri Bushati.
“Koha nuk pret! Zbatimi i menjëhershëm i reformës është e vetmja rrugë që qytetarët të ndjejnë efektet e pritshme dhe vendi të përparojë drejt çeljes së negociatave për anëtarësim në BE. Ritmi i zbatimit të reformave është njësia matëse e trajektores së demokratizimit të vendit dhe ecurisë së procesit të integrimit europian”, thekson Bushati.
“I kemi të gjitha mundësitë që edhe përmes bashkëveprimit të demonstruar me partnerët tanë strategjik SHBA dhe BE, ta kthejmë reformën në drejtësi në një shembull frymëzimi për mbarë rajonin”, përfundon postimin e tij, Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati.
(java / r.a)