Ish-anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Sabit Brokaj, ndryshe nga profesor Servet Pëllumbi, nuk e cilëson mocionin që Fatos Nano kërkoi në 1996-n të lidhur me disfatat që Berisha po kalonte në këtë kohë pas zgjedhjeve të kontestuara të atij viti.
Sipas Brokajt, mocioni i Nanos ishte i gabuar, por gabim më të madh ai gjen tek ata që e interpretuan, duke krijuar një ndarje në dy kampe brenda PS-së, në mbështetës të Nanos dhe në mbështetës të Pëllumbit.
Mocioni për votëbesimin e Kryesisë së PS-së, i propozuar nga Burgu i Bënçës, kishte lidhje me një bashkëpunim mes Nanos dhe Berishës në një moment kur Berisha ishte në pikën e tij më të dobët pas referendumit të 1994?
Jo, jo, nuk e besoj si të tillë. Për mua mocioni ishte një gabim, por gabimi më i madh ishte i atyre që e interpretuan mocionin. Mocioni mund të lexohej, të thuheshin vërejtjet se ku mund të përmirësohej dhe nuk kishte pse krijoheshin “ushtritë” e Servetit dhe të Nanos brenda PS-së dhe kjo ishte në dëm të partisë.
Defekti për mua ishte nga interpretimi i gabuar dhe drejtimi i gabuar i tij, sepse u mor si armiqësor, edhe për shkak të një gjuhe jo të përshtatshme të përdorur nga Nanoja në të. Por në drejtimin e PS-së në atë kohë kishte dhe një kompleksim. Sepse, meqenëse Serveti mendonte se për shkak se po binte Saliu, Nanoja donte ta largonte atë, edhe Nano kishte të drejtë të mendonte se meqenëse unë jam në burg, Serveti kërkon të më heqë. Nuk mund të arsyetohet në këtë mënyrë.
Unë nuk hyja në lojën e qilarëve të PS-së. Unë e thashë: shtrohej një detyrë, mbaja një qëndrim, e kisha kurajën ta thosha mendimin tim, siç e kisha. Madje, po tregoj një detaj për të treguar se sa e kompleksuar ishte udhëheqja e partisë sonë. Kishte një javë që homoseksualët në Londër kërkonin t’u miratohej një amendament dhe Parlamenti nuk e miratonte dhe ata protestonin dhunshëm, duke shkaktuar dëme rreth 8 milionë sterlina nga shkatërrimet që bënin në këto protesta.
Në një nga mbledhjet e KPD-së, pasi kisha dëgjuar njerëzit që takoja se jemi të tërhequr dhe se po e lejojmë Saliun të shkatërrojë Shqipërinë dhe se nuk po dimë të reagojmë, i mbushur nga ky reagim i njerëzve, u them: “Ju nuk keni as guximin e homoseksualëve në Londër, që dogjën kryeqytetin për një amendament, dhe jo që të shpëtojmë vendin nga një diktaturë si kjo e Saliut”.
Kjo deklaratë e imja u mor për keq dhe Serveti kërkoi pushim të mbledhjes. Në momentin që u ndërpre mbledhja, më afrohet Petro Koçi dhe më tha: E ti nuk je ndonjë trim më i madh, se nuk na i the shqip!
Ju keni pasur ofiqin e strategut… nga ka ardhur kjo?
Po ju tregoj se termi strateg që më vunë, nuk ishte edhe pa shkak. Kur iku Gramozi në 1996-n, mua më vunë në mënyrë jashtëstatutore ndihmës i sekretarit organizativ në PS. Ishte një term që nuk ekzistonte, por vendi mbetej bosh dhe këtë punë duhet ta bënte dikush.
Mua më çuan te zyra e Gramozit, një zyrë bosh, pa letra dhe dokumente. Unë e mora me shumë fanatizëm, duke e bërë me shumë pasion. Kur erdhi fushata zgjedhore, unë isha personi përgjegjës për organizimin e saj. Ylli Bufi mbulonte aspektin ekonomik. E kam bërë në slide, si zakon nga Fakulteti i Mjekësisë, të gjithë strategjinë se si organizohet një fushatë, bazuar dhe në tri libra që kam marrë në SHBA, që lidheshin pikërisht me jetën e partive politike, pa përfshirë këtu edhe seminaret e shumta.
Dhe një arsye pse Saliu reagoi aq ashpër në 1996-n ndaj opozitës ishte sepse ne i bllokuam atij çdo mundësi që ai të fitonte zgjedhjet me manipulim.
Nga e adaptuat këtë strategji, patët ndonjë këshilltar të huaj?
Do të them një sekret. Në rrugët jashtë shtetit që kisha bërë në atë kohë, në Francë, Bullgari, takova katër nënkryetarët e PS-së bullgare, dhe më thanë me shaka që, meqenëse në Greqi kishte fituar PASOK-u, Sllobodanin e quanin socialist, ju urojmë edhe juve që të fitoni që të bëhet i gjithë Ballkani i kuq.
Ata më takuan me një profesor të Filozofisë, i cili kishte bërë fushatën atje e të cilin e mora me vete, dhe e përmend edhe Serveti për nja dy takime që ka bërë me të nëpër Shqipëri. Njëri prej tyre më tha që për ju është shumë i dobishëm ai që ka bërë fushatën e Berishës në 1992-shin, kur ju ka mundur juve. E pyeta unë kush është ai? Një spiun i CIA-s më thanë, por siç ishte në modë atëherë, që kundërshtarin politik e bëje spiun e të lidhur me agjenturat amerikane.
Është profesor, më thanë, shumë i fortë. Në atë takim unë isha me Vladimir Meçen dhe që i njihte ata. U organizua takimi me profesorin e Filozofisë, i të djathtës bullgare, i cili kishte qenë konsulent i Saliut në fushatën e 1992-shit, por më pas i kishte prishur marrëdhëniet me Berishën. Ishte njeri serioz dhe shumë i prerë. Më kërkoi që t’i adresoja problemet që ne kishim. Unë ia radhita të gjithë problematikën që ne kishim në Shqipëri.
Ai më bëri disa pyetje shumë pikante: Si do jenë marrëdhëniet tuaja me administratën e vjetër? Unë i thashë do jenë me rezervë. Po me ata të ish- Sigurimit të Shtetit si do t’i keni raportet?, më pyeti. Natyrisht me ta, i thashë, nuk do të kemi asnjë bashkëpunim.
Ai më tha: Zotëri, doni t’i fitoni zgjedhjet?! Ju nuk e kuptoni se qeveria asaj administrate i ka dhënë punë, ka mirënjohje ndaj saj dhe pavarësisht ndryshimit të sistemit. Madje edhe me ata të Sigurimit, ju duhet të punoni dhe të bashkëpunoni sepse ata nuk kanë bërë vetëm të këqija, por kanë bërë dhe të mira, kanë mbrojtur, por dhe ndihmuar njerëz, kanë bashkëpunëtorë dhe për të fituar pushtetin, duhet të bashkëpunosh me të gjitha kategoritë. I thashë unë se kemi problem dhunën e regjimit të Berishës.
Ai më tha disa elementë se si duhet të organizoheshim për çdo qendër votimi, se çfarë pune duhej të bënin shtabet etj., etj. Unë përsëri e kisha mendjen te dhuna e Berishës. Zotëri, më tha, me lule mbahen zgjedhjet në Zvicër, te ju dhe te ne rëndësi ka të mos ketë kallashnikov, po grushte dhe shkelma do ketë se kjo është kultura jonë demokratike. Pasi u paralizua nga masat që ne morën që ai të mos kishte mundësi të manipulonte, Berisha përfundoi te përdorimi i dhunës.
Madje, ai e bëri aq ekstreme, sa filloi të përzërë komisionerët tanë nga qendrat e votimit. U dëbuan që në orën 9 të mëngjesit në Korçë, në Fier, në Durrës, në Tiranë dhe në orën 10:00, ne kishim vëzhgues në KQZ Ismail Lleshin dhe Ylli Bufin. I përzunë edhe ata dhe erdhën në PS.
Ne kishim marrë paraprakisht të gjitha masat dhe kishim përcaktuar të gjitha hapat se si do të vepronim në situata të mundshme që mund të krijoheshin. Këtë e kishim konsultuar edhe me të majtët që kishin ardhur nga Europa për të na mbështetur në këto zgjedhje.
Si dolët në qëndrimin për të tërhequr komisionerët?
Unë ia thashë që në orën 10 të paradites Servetit se në qendrat e votimit na kanë përzënë, në KQZ po ashtu, çdo gjë po ndodh pa prezencën tonë. Duhet të largohemi, s’mund të rrimë si numra. Serveti më tha se nëse ne largohemi, na mbetet të dalim jashtë ligjit. Unë i thashë me shaka: Po tanët ilegalë në male kanë qenë!!
Edhe po na morën zyrat, mblidhemi në shtëpinë time, e merr kryesinë. Unë e kisha idenë më të kristalizuar se si do të shkonin gjërat, sepse e kisha bredhur Shqipërinë për këtë qëllim dhe e dija shumë mirë se ç’mendonte baza. Kur më futi në burg Saliu, një nga akuzat ishte edhe si organizator i 26 majit. Saliu e dinte që kisha pasur një pozicion ndikues, i cili u krye si u krye, në fund të fundit, solli atë reagim. Përsëri u hezitua për pozicionin që duhej të kishim. Pastaj thirrëm drejtuesit e partive aleate, nuk po gjenim dot Gjinushin.
Lidhemi me Paskalin, i cili ishte në Vlorë. Ishte plagosur me armë një komisioneri ynë në Vlorë, një Çakërr. Paskali më thotë se PD-ja po manipulon edhe këtu në Vlorë që komisionerë janë miq dhe farefisi yt e jo më në qytete të tjera. Duke parë këtë situatë, bashkë me aleatët u vendos që ne të tërheqim komisionerët nga zgjedhjet që të mos ishim pjesë e manipulimit të PD-së.
Ju keni qenë propozues i nevojës së zgjedhjeve të parakohshme, pas rrëzimit të Kushtetutës në 1994 me referendum, pse u kundërshtua?
Serveti pati hezitim, sepse kërkonte konsum më të plotë të pushtetit të Berishës. Nuk them se nuk kishte të drejtë, por nuk shkonte fare me teorinë dhe praktikën demokratike në botë, që pas rrëzimit të referendumit të qeverisë, të mos kërkoje rrëzimin e qeverisë me zgjedhje të parakohshme. Ne kishim në favor faktorin e brendshëm që është përcaktues dhe pse Berisha vazhdonte të mbështetej nga faktori i jashtëm.
Ne kishim mbështetësit tanë më të shumtë, më idealistë, kishim përballë një bishë si Berisha, që kishte prodhuar më shumë kundërshtarë, sepse ai u braktis nga një numër i madh i inteligjencës, e cila iu bashkua PD-së në fillimet e saj…
Panorama/d.i.