Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, mori pjesë në përurimin e pikës së re të Qendrës Shëndetësore nr 4 në Tiranë, e cila i shërben 25 mijë banorëve të zonës së “Don Boskos”.
Qendra e re do të funksionojë sipas orareve të Kujdesit Parësor, nga ora 08:00-20:00, dhe shërbimi do të financohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
“Tirana është zgjeruar shumë, ndërsa vendndodhja në territor e Qendrave Shëndetësore të Kujdesit Parësor është po ajo që ka patur para 25 vjetësh. Me këtë shqetësim, ne vendosëm që këtë vit të jemi prezent më pranë qytetarëve dhe vendbanimeve të tyre, ndaj në ditët në vijim, përpos kësaj qendre që hapim sot, do të kemi edhe 3 qendra të tjera në Tiranë – njëra do të jetë në zonën e Komunës së Parisit, një tjetër në zonën e Unazës së madhe dhe një qendër tjetër në fund të rrugës “Siri Kodra”, u shpreh ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Beqaj shprehu vendosmërinë për angazhimin e Qeverisë për të shkuar drejt Mbulimit Universal të popullatës, duke ofruar Cilësi dhe Akses universal, për ta ofruar shërbimin më pranë qytetarëve.
I pyetur nga gazetarët nëse do të ketë masa ndaj zv/drejtorit të FSDKSH, pasi drejtori i Përgjithshëm dha dorëheqjen dhe drejtori Rajonal ndodhet në burg, ndërkohë që Sokol Skuraj, emri më i përfolur vijon të jetë zv/drejtor i Fondit, ministri i Shëndetësisë dha këtë përgjigje:
“Lidhur me nëndrejtorin e Fondit, sikurse është bërë publike edhe në raste të tjera, së pari, ne kemi një komunikim me Inspektorin e Lartë të Deklarimit të Pasurisë, për të parë nëse ka konflikt interesi të detyrës së tij me tregun farmaceutik. Ndërkohë, drejtuesja e re e Fondit e komanduar që sot, do të vazhdojë të zbatojë rekomandimet e Njësisë Anti-Korrupsion të Këshillit të Ministrave, i cili ka masa administrative edhe për Drejtorinë e Përgjithshme të FSDKSH, edhe për Drejtorinë Rajonale të Tiranës, ndërsa organet e Prokurorisë, ndjekin linjën e tyre”.