Deputetët socialistë të Komisionit të Posaçëm janë duke pritur zbardhjen e marrëveshjes së arritur, ku ndryshimi i vetëm nga propozimi Nuland është ndryshimi i autoritetit që mbledh kandidaturat për anëtarët e Komisionit të Vettingut, nga Avokati i Popullit te Presidenti i Republikës.
Por pikërisht kjo zbardhje, e cila kërkon miratimin e Partisë Demokratike, po mbahet peng. PD këmbëngul që të rihapë negociatat për dy çështje të reja, zgjedhjen e anëtarëve në KLGJ dhe KLP. Dy çështje të cilat nuk ishin pjesë e negociatave dhe te cilat nga PD ishin cilësuar si të pranuara.
Gjatë gjithë këtyre ditëve, PD ka insistuar se palët ishin dakord për 99% të draftit Nuland dhe se vetëm dy çështje kishin mbetur pezull.
Asnjëra prej dy çështjeve nuk përfshinte KLGJ dhe KLP dhe për të dy çështjet Basha u shpreh sot se akordi ishte arritur.
Pikërisht rifutja në diskutim e dy çështjeve shtesë nga PD nxiti edhe reagimin më të ashpër deri më sot të SHBA që e quajtën Bashën një njeri që nuk udhëheq dot PD dhe nuk di të mbajë asnjë premtim.