Nga Ben Andoni
Fjalëza puhi është zëvendësuesja më e parë e fjalës frymë, nëse do të përcaktonin një trend kundërshtues të padukshëm të Shqipërisë dhe Kosovës në lidhje me marrëdhënien me SHBA-në. Por a ka realisht një lloj gjendje anti-amerikanizmi në Shqipëri e Kosovë?! Vetë ambasadat respektive amerikane të Prishtinës dhe Tiranës e hedhin shpesh poshtë si ndjesi, duke dhënë dhjetëra raste të kundërta. Vetëm se: nga ana tjetër, nuk ndalojnë t’i lajmërojnë qytetarët e tyre, të paktën një herë në gjashtë muaj, të ruhen nga kjo apo jo veprimtari!!
Investimi total i ambasadorit Donald Lu për Reformën në Drejtësi të Shqipërisë dhe disa herë konfrontimet që ka pasur me politikanë të lartë për teknitura të draftit ka treguar shpesh pakënaqësi, por edhe paragjykime ndaj tij. Mbase nuk është vendi, por reagimet kanë qenë realisht shqetësuese, duke menduar seriozitetin e investimit të tij diplomatik. Njësoj në Kosovë, ambasadori Delawie është investuar për dialogun në parlament të palëve, por shpesh ka marrë feedback-e asfare pozitive, derisa pak muaj më parë kosovarët i dhuruan edhe një nga gjërat më të turpshme, kur mbushën një peticion kundër tij.
Teksa përfshirja politike amerikane në Shqipëri ka qenë për rehabilitimin demokratik të vendit; në Kosovë ka qenë direkt për ekzistencën e saj, falë të cilës shteti më i ri evropian gëzon pavarësinë. Anipse edhe kjo nuk u ka mjaftuar kosovarëve që shpesh ta teprojnë. Edhe, turpshëm. Pothuaj asnjë nga këshillat e Delawie nuk është marrë parasysh nga opozita por edhe nga pozita sa i përket problematikës së ngërthyer të Demarkacionit dhe sidomos Asosacionit të Komunave Serbe.
Duke u shtyrë pas në kohë, zyrtarët amerikanë të nivelit residencial diplomatik kanë sjellë disa herë edhe shumë tollovi. Arvizu, paçka qëndrimeve direkte dhe të sinqerta, në momentin më të vështirë të politikës që lidhej me 21 Janarin e cilësoi burrë shteti Berishën (!!!), kurse paraardhësi i tij, megjithë kriticizmin pa doreza mbylli paq sytë në Gërdec! Në Kosovë ishte edhe më e shëmtuar ndërhyrja e ambasadorit Dell për vendosjen e ish-presidentes Jahjaga, që gjatë presidencës saj la shumë inaktivitet të Kosovës dhe një institucion presidence gati pa respekt mes palëve.
Në ditët tona diplomatët amerikanë po e ndjejnë boshësinë e politikës shqiptare me farën e pushtetit që është mbjellë, ku edhe ata kanë rolin e tyre. Shembulli më i keq është pushteti lokal shqiptar, ku Lu nuk do mund të shkelë ndonjëherë te kryetarët e Kavajës dhe të Krujës, për shkak të korrupsionit dhe kriminalizimit të kryetarëve të tyre; ashtu si Delawie nuk do mundë të vizitojë ndonjëherë zyrat e Klinës, Drenasit, apo Skënderajt, kjo e fundit madje me një kryetar në burg për krime lufte.
Marrëdhëniet e politikës me diplomatët amerikane kanë qenë marrëdhënie jo gjithnjë të lehta, duke pasur parasysh besimin e madh që kanë shqiptarët e thjeshtë të dy vendeve nga SHBA-së. Por, për hir të së vërtetës, ndihma amerikane këtu ka ngecur. Tirana politike e kaloi Gërdecin dhe 21 Janarin, qoftë edhe me një patericë të SHBA-së, dhe sot e kësaj dite s’ka përgjigje për fajtorët, kurse Prishtina prej neglizhencës dhe mungesës së adresimit real të problemeve, (edhe të amerikanëve) vazhdohet me një debat shterpë demarkacioni dhe nga ana tjetër me prodhim terroristësh. Dhe, paradoksi kosovar arrin deri aty saqë vetë Sekretari i shtetit John Kerry në Prishtinë u tha se shteti i tij ishte garant i pavarësisë dhe duhet të linin dasitë, sepse ata kurrë nuk do firmosnin gjëra që dëmtonin Kosovën, por pakkush e dëgjoi. Ashtu si duheshin bisedime e bisedime shtesë në Tiranë në këto ditë vapë të tmerrshme që të vihej sërish në diskutim drafti i Drejtësisë së zëvendës/sekretares Nuland, megjithëse ishte i maturuar prej një stafi të tërë deri në detajet më të vogla.
Të gjitha këto të bëjnë të mendosh se Shqipëria, megjithë mëtimet tona për respektin dhe adhurimin amerikan, e kemi të re frymën pro-amerikane, megjithëse për këta është mbresëlënëse adhurimi, që na bën qesharakë para evropianëve, kurse ndërkohë varfëria, mungesa e shpresës ka bërë që kjo frymë të zbehet disi dhe jo çuditërisht religjioni të fitojë terren. Në Kosovë dukshëm duke zëvendësuar dhe identitetin kombëtar, kurse në Shqipëri më pak, paçka se hulumtimet sociale mungojnë krejtësisht. Dhe, religjioni, sidomos ai mysliman, ka kohë që artikulon vetëm keq ndaj SHBA-së, helm që duket se ka zënë jo pak vend në Kosovë dhe ku ta dish edhe në Shqipëri. Duke e menduar dhe marrë Amerikën si garancinë e vërtetë të shqiptarëve në dekadat e fundit, antiamerikanizmi që flladit në pak vende duhet marrë seriozisht. Por më shumë nga loja e pistë e zyrtarëve, që po e lënë këtë dhe shfrytëzojnë politikën amerikane për kuotat e tyre në pushtet. Dhe, mbyllja e syve disa herë nga SHBA, paçka raporteve periodike nuk ka sjellë gjë, përveç një flladi anti që kalon herë pas herë dhe duhet quajtur shqetësues. E jo sepse i ka bërë ndonjë gjë stigmës ndaj Lu-së apo Delawisë, por se tregon realisht se rryma të këqija po tentojnë t’i përçajnë shqiptarët.