Ministri i Mjedisit, Lefter Koka priti sot ne nje takim Ministrin e Mjedisit, Energjisë dhe Mbrotjes Klimatike në Saksoninë e Poshtme në Republikën Federale të Gjermanisë, z. Stefan Wenzel dhe delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës së tij zyrtare në Tiranë.
Ministri Koka e njohu ministrin Wentzel me arritjet e qeverisë shqiptare në përgjithësi dhe të Ministrisë së Mjedisit në veçanti në harkun kohor të tre viteve duke theksuar progresin e dukshëm në përafrimin e legjislacionit kombëtar me atë të BE-së dhe hartimin e politikave mjedisore sipas standarteve europiane, rritjen e investimeve me qëllim rehabilitimin e dëmeve të së shkuarës dhe sjelljen e mjedisit në qendër të vëmendjes së opinionit publik. Ai u ndal gjithashtu dhe në arritjet në disa fusha prioritare që Ministria e Mjedisit ka peasur sipas Progres Raportit të 2 viteve të fundit.
Më tej Ministri Koka theksoi se ndër prioritetet politikës mjedisore shqiptare janë sfida e ndryshimeve klimatike, mbrojtja e Natyrës dhe e Biodiversitetit dhe menaxhimi i Integruar i mbetjeve urbane,
Duke u ndalur në temën e ndryshimeve klimatike, Ministri Koka tha se Shqipëria ka dorëzuar para afatit Kontributin Kombëtar të Synuar para afatit ndërsa vetëm pak ditë më parë Parlamenti Shqiptar ratifikoi Marrëveshjen e Parisit, duke finalizuar kuadrin ligjor nëpërmjet të cilit Shqipëria do të përgatitet të marrë një paketë masash që synon reduktimin me 11.5% të gazeve me efekt serrë deri në vitin 2030.
Nga ana e tij, ministri Wenzel u shpreh se politika mjedisore është një fushë e re edhe për vendet e Europës. Në vijim ai nënvizoi se nënshkrimi i Marrëveshjes së Parisit nga qeveria shqiptare dhe angazhimi që ajo ka marrë vlerësohet shumë pozitivisht nga qeveria gjermane.
Fushat kryesore me interes të vecantë nga ana e delegacionit gjerman në Shqipëri janë mbrojtja e burimeve natyrore ujit, ajrit, menaxhimi i mbetjeve në fuksion të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit.
Gjatë takimit palët diskutuan rreth çështjeve mjedisore si sfida globale e ndryshimeve klimatike, evitimin e përfitimit të energjisë nga lëndët djegëse të ngurta, trafiku dhe ndotja e ajrit si dhe mbrojtjen e natyrës,dhe konkretisht të zonave të mbrojtura.
Ministri Koka theksoi se ndihma e qeverisë gjemane në fushën e Mjedisit është e rëndësisë së veçantë, përmes projekteve të shumta që janë financuar dhe do të vazhdojnë të financohen deri në vitin 2020, kryesisht në fushat e Biodiversitetit, ndryshimet klimatike si dhe menaxhimin e integruar të mbetjeve.
Duke folur për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis dy vendeve, ministri Koka theksoi se megjithë arritjet e deritanishme Shqipërisë i duhet akoma progres për të përmbushur standartet e BE-së dhe konventave ku ajo aderon ndaj mbështetja e palës gjermane do të ishte e çmuar .
Gjithashtu ministri Koka kërkoi ekspertizën gjermane veçanërisht për menaxhimin e integruar të mbetjeve sikundër edhe në sektorin e ndryshimeve klimatike, në gjenerimin e “vendeve të gjelbërta të punës”, asistencë në zbatimin e strategjisë së biodiversitetit, por edhe një asistencë specifike në krijimin e rezervateve natyrore të menaxhimit të faunës së egër.
Ministri Wenzel siguroi se do të ofrohet maksimalisht ekspertiza dhe asistenca në fushat e sipërpërmendura.
Palët vlerësuan se Shqipëria dhe Gjermania janë dy vende që kanë marrëdhënie të shkëlqyera me njëra- tjetrën. Në emër të Qeverisë Shqiptare, ministri Koka falenderoi ministrin Wenzel për ndihmën e çmuar të qeverisë gjermane në fushën e mjedisit nëpërmjet KFW-së dhe GIZ.
Ky takim dypalësh vjen pas vizitës së Ministrit të Mjedisit z. Lefter Koka në Berlin më 7 maj 2015, ku u prit nga Ministri i Mjedisit të Republikës Federale të Gjermanisë, Znj. Barbara Hendricks./a.m.